Sekuestrohen 750 mijë euro/ Policia jep detajet: 17 të arrestuarit shkëmbenin para cash me kriptomonedha

Drejtoresha e krimit kibernetik në Policinë e Shtetit, Ervina Gjana, dha detajet në një konferencë për shtyp pas operacionit të policisë, të koduar “USDT-1”.

Ajo bëri me dije se policia ka ekzekutuar masat e sigurisë “arrest me burg” dhënë nga Gjykata e Tiranës për 18 persona.

Ata akuzohen për disa vepra penale, që nga ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare, fshehje të të ardhurave dhe moskallëzim i krimit.

Ndërkohë në kërkim janë shpallur 2 persona nga Maqedonia e Veriut.

Gjana sqaroi se 18 të arrestuarit, në rolet e autorëve dhe administratorëve të subjekteve ekonomike në Tiranë e Shkodër, këmbenin monedha virtuale në para dhe anasjelltas, pa qenë të pajisur me licencën e nevojshme.

Hetimet po vijojnë, teksa policia ka konkluduar se kriptomonedhat përdoreshin si mekanizëm pagese ndërmjet grupeve kriminale.

“Në koordinim me Prokurorinë e Tiranës po vijojnë hetimet për të nxjerrë përpara përgjegjësisë të gjithë shtetasit e implikuar në këtë veprimtari kriminale, të cilët kanë përdorur kriptomonedhat si mekanizma pagese ndërmjet grupeve kriminale”, u shpreh Gjana.

Si pasojë e kontrolleve në 32 ambiente të ndryshme janë sekuestruar rreth 750 mijë euro, para që sipas policisë dyshohet se i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale. Po ashtu, janë sekuestruar edhe 13 pajisje kompjuterike dhe 27 celularë.

Të Fundit