Pas denoncimit të emisionit Stop në Tv Klan për prostitutat e huaja që ushtrojnë aktivitetin në Tiranë, policia e kryeqytetit ka finalizuar aksionin “Red Light 3”.
Gjatë aksionit policor u ndaluan shtetasit kienzë A. W., 45 vjeçe, Zh. Y., 30 vjeç, për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur”, “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë për prostitucion 5 vajza kineze, si dhe për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, shtetasi G. L., 62 vjeç, banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të procedimit, ka rezultuar se shtetasit A. W. dhe Zh. Y., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë sjellë në Shqipëri 5 vajza të huaja, të cilave iu kanë premtuar se do t’i punësonin në qendra masazhesh në Shqipëri.
Pasi këto vajza kanë mbërritur në vendin tonë, dy të arrestuarit i kanë shfrytëzuar për prostitucion në apartamente të marra me qira.
Nga veprimet hetimore është dokumentuar ligjërisht fakti se autorët e dyshuar i reklamonin në faqe online vajzat që i shfrytëzonin për prostitucion, gjenin klientët, i prisnin ata në hyrjen e pallatit ku ushtrohej prostitucioni dhe pas kryerjes së pagesave që varionin nga 200-300 Euro, i dërgonin klientët në apartament.
Policia e Tiranës ka falenderuar emisionin investigativ “STOP” për bashkëpunimin në këtë rast aktiviteti ilegal.