Deputeti opozitar dhe kryetari i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, thotë se përballja me Partinë Socialiste në zgjedhjet parlamentare 2025 është shumë e vështirë.
I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Shehaj u shpreh se beteja politike ndaj mazhorancës socialiste është e fortë dhe se në zgjedhjet e vitit 2025 ka shumë gjasa që të mos ndodhë rrotacioni politik.
Por sipas tij, opozita duhet të fitojë besimin e qytetarëve dhe se rrugëtimi është i gjatë.
“Ne si opozitarë kemi dy alternativa. Ose do themi ka mbaruar kjo punë, jemi të vdekur, na ka vënë Rama përpara dhe të marrim sa të marrim. Ose të merremi dhe të mundohemi të japim atë që shqiptarët duan. Do mjaftojë? Dhe mund mos mjaftojë. Ka shumë gjasa mos mjaftojë. Por ne këtë kemi në dorë, të bëhemi të besueshëm. Këtë bën opozita. Se ndryshe alternativa është nuk po mundohem fare.
Gjendja është e rëndë dhe pikërisht sepse është e rëndë, nuk është një zgjidhje që jepet menjëherë. Por ka gjasa që mos mjaftojnë. Jo ka gjasa, por është shumë e mundur që zgjedhjet e ardhshme mos të jemi në gjendje të japim zgjidhje, në kuptimin që të bëjmë rrotacionin politik. Është e vërtetë. Është një rrugëtim i gjatë. Shqiptarët janë të zhgënjyer dhe bombardojnë çdo ditë me mesazhin janë të gjithë të korruptuar, është e vërtetë që ne jemi të korruptuar thotë Rama, por këta të gjithë kanë korruptuar, s’kemi çfarë t’i bëjmë. Është kontrasti shpëtimi, zgjidhja dhe fitimi i besimit. Është një rrugëtim i gjatë, pak nga pak, lufta është e jashtëzakonshme”, deklaroi deputeti Agron Shehaj.