Ish-prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla është shfaqur për herë të parë që pas shpalljes në kërkim nga Prokuroria.
Ka qenë kryetar i Partisë Balli Kombëtar, Adriatik Alimadhi, i cili ka postuar një foto ku shihet krah, Adriatik Llallës, i cili është në kërkim nga SPAK.
Ata shfaqen në një kafe së bashku të buzëqeshur, ndërsa kanë bërë me duar edhe shqiponjën nga Italia.
“Një takim pas disa vitesh me ish Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë. Mikun e familjes tonë Adriatik Llalla”, shkruan ai ndër të tjera.
Ish-kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Adriatik Llalla u dënua me dy vjet burg dhe 5 vite përjashtim nga shërbimet publike, për fshehjen e pasurisë në tre episode, në shtator të vitit 2021, por vendimi nuk u ekzekutua asnjëherë pasi ai u largua nga vendi dhe zgjodhi të mos përballej me drejtësinë. Ai ndodhet në shtetin italian, ku është raportuar dhe se ka marrë azil.
“Autoritetet italiane kanë konfirmuar se procesi gjyqësor me objekt ekstradimin e shtetasit shqiptar Adriatik Llalla është në vazhdim e sipër…,” ka thënë Prokuroria e Posaçme një vit më parë. Megjithatë, edhe përse kanë kaluar më shumë se dy vite e gjysmë, ish-numri një i akuzës shqiptare nuk është ekstraduar.
Adriatik Llalla nuk ka deklaruar një shumë prej rreth 7.000 dollarë për lindjen e djalit të tij, shpenzimet për ndërtimin e katit të tretë të shtëpisë në Tiranë, si dhe shkollimin e vajzës së tij në Gjermani. Pasi dënimi mori formë të prerë, pasuritë u konfiskuan dhe i kaluan në pronësi shtetit.
Pasuritë e konfiskuara të ish-kryeprokurorit Llalla:
-Pasuria e paluajtshme nr.39/146-ND+1-21, zona kadastrale nr.8518, e llojit apartament banimi, me sipërfaqe 67.2 m², ndodhur në Durrës, blerë me kontratën nr.432 Rep dhe nr.221 Kol, datë 19.03.2012;
-Pasuria e paluajtshme nr.64/40, zona kadastrale nr.3091, volume 3, faqe 195, e llojit tokë arë, me sipërfaqe 4.500 m², blerë me kontratën nr.972 Rep dhe nr.546 Kol, datë 05.12.2016;
-Pasuria e paluajtshme nr.64/61, zona kadastrale nr.3091, volumi 4, faqe 198, e llojit tokë arë, me sipërfaqe 12.300 m², ndodhur në Tiranë, blerë me kontratën nr.316 Rep dhe nr.187 Kol, datë 15.03.2017;
-Pasuria e paluajtshme nr.64/62, zona kadastrale nr.3091, volumi 4, faqe 199, e llojit tokë arë, me sipërfaqe 3000 m², ndodhur në Tiranë, blerë me kontratën nr.315 Rep dhe nr.186 Kol, datë 15.03.2017;
-Pasuria e paluajtshme nr.64/58, zona kadastrale nr.3091, volumi 4, faqe 195, e llojit tokë arë, me sipërfaqe 2250 m², ndodhur në Tiranë, blerë me kontratën nr.573 Rep dhe nr.376 Kol, datë 15.05.2017.
Adriatik Llalla është kryeprokurori i parë shqiptar dhe ndër zyrtarët e parë të lartë që u dënua me burg nga institucionet e reja të drejtësisë. Ai dhe familja e tij janë shpallur “non grata” në SHBA dhe ambasadori i kohës Donald Lu, e ka cilësuar publikisht Adriatik Lallën si “peshk i madh”.