Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ka bërë një bilanc të punës së Policisë, por edhe të ngjarjeve të rënda kriminale të ndodhura në vendin tonë gjatë vitit 2024.
Në fjalën e tij në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, Hoxha tha se sa i takon vitit 2024, janë regjistruar 28 vrasje, nga 35 që ka patur përgjatë vitit 2023.
Po ashtu ai tha se përgjatë periudhës Korrik-Gusht 2024 kanë ndodhur gjithsej 12 vrasje, nga të cilat janë zbuluar 10 prej tyre. Hoxha shtoi se gjatë kësaj periudhe janë parandaluar 12 tentativa vrasjeje.
Sjellim në vëmendje se në Komision u zhvillua seancë dëgjimore e kërkuar nga deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike me Ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Hoxha për të dhënë informacione dhe shpjegime lidhur me:
—gjendjen e rendit në vend,
—ngjarjet e rënda kriminale të ndodhura gjatë verës,
—numrin e ulët të arrestimeve të personave të kërkuar nga organet e drejtësisë
—dhe lëvizjet e fundit në kupolën drejtuese të Policisë së Shtetit.
Pjesë nga fjala e Hoxhës:
Mbrojtja e jetës dhe e sigurisë së qytetarëve është detyra kryesore dhe e padiskutueshme e Policisë së Shtetit. Prandaj, çdo statistikë, sado pozitive të jetë, mbart në vetvete një peshë, një përgjegjësi për secilin nga ne, pasi siguria kërkon përpjekje gjithëpërfshirëse nga çdo segmet i shoqërisë.
“Situata e rendit dhe e sigurisë publike është shumë e qëndrueshme në Shqipëri. Nuk jam i kënaqur për rezultatet e deritanishme të policisë së shtetit, por policia e shtetit është në krye të detyrës”, deklaroi ministri në Komision.
Përgjatë periudhës Korrik-Gusht 2024 kanë ndodhur gjithsej 12 vrasje, nga të cilat janë zbuluar 10 prej tyre. Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe janë parandaluar 12 tentativa vrasjeje.
Kjo padyshim është dëshmi e një pune të mirë të strukturave të policisë.
Sa i takon vitit 2024, janë regjistruar 28 vrasje, nga 35 që ka patur përgjatë vitit 2023.
Arrestimi i personave të kërkuar nga organet e drejtësisë
Një nga çështjet e parashtruara nga ju është dhe numri i ulët i personave të arrestuar.
Dua të saktësoj se, numri i personave të arrestuar, krahasuar me një vit më parë është më i lartë, si për ata të shpallur në kërkim kombëtar, dhe për ata në kërkim ndërkombëtar.
Më konkretisht, për personat në kërkim kombëtar, gjatë periudhës Janar-Gusht 2024, janë kapur 209 persona më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ose e thënë ndryshe 17% më shumë.
Për personat në kërkim ndërkombëtar, gjatë periudhës Janar-Gusht 2024 janë kapur 61 më shumë se vitin e kaluar, ose 43% më shumë.