Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur të enjten se kanë filluar përgatitjet për gërmime në Kozhle të Serbisë, në kërkim të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Duke folur për përgatitjet për gërmim në Kozhle, ai ka thënë se shpreson që kjo ”nuk është një përpjekje e re nga shteti serb për të evituar nga agjenda e gërmimeve lokacionet e tjera të shënjuara nëpër Serbi”.
“Nuk ka kufomë, nuk ka krim, ishte strategjia e Serbisë për fshehjen e krimeve të kryera mbi shqiptarët në Kosovë. Kjo strategji vazhdon të zbatohet edhe sot nga trashëgimtarët politikë të ish-liderit serb, Sllobodan Millosheviçit në Beograd”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se Kosova ka bërë kërkesa zyrtare për hapjen e arkivës së Brigadës 37 të ushtrisë jugosllave, “përgjegjëse për shumë masakra në Kosovë, sidomos në Drenicë”.
Ai ka përmendur se Serbia obligohet për hapje të arkivave edhe përmes një marrëveshjeje të arritur për këtë çështje, më 2 maj të vitit të kaluar në Bruksel.