Ministri i Financave, Petrit Malaj, duke folur pas mbledhjes së qeverisë, njoftoi se të ardhurat për këtë vit do të rriten në vlerën 267 miliardë lekë. Sipas tij, këto para do të shkojnë për sektorët që kanë një ndikim të madh në jetën sociale dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
“Kemi rishikuar buxhetin e vitit 2024, duke rritur të ardhurat për këtë vit në vlerën 267 miliardë lekë. Këto shtesa janë menduar të shpërndahen në sektorët që kanë ndikim të lartë në jetën sociale dhe ato që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik. Më konkretisht, kemi rritur financimet shtesë për ministrinë e Bujqësisë me 500 milionë lekë për skemën e granteve të fermerëve.
Kemi rritur 200 milionë lekë për ministrinë e Shëndetësisë për projekte të shërbimit të kujdesit parësor dhe dytësor dhe për ministrinë e Brendshme me 1.3 miliardë lekë për kompensimin ushqimor të policisë, krahas orëve shtesë të punës dhe fondet për ministrinë e Arsimit me 300 milionë lekë për shpërblimin e sportistëve që kanë arritur rezultate të mira. Kemi rritur financimet dhe për Ujësjellës Kanalizimet me 2 miliardë lekë. Do të vijohet për të financuar infrastrukturën kombëtare dhe rurale, që do të luajnë rol kyç në zhvillimin ekonomik të vendit.”, u shpreh ministri Malaj.