Brigjet e Shqipërisë të cilat dikur ishin të panjohura për shkak të izolimit gjatë periudhës së komunizmit tani konsiderohen si disa nga më të bukurat e Evropës.
Gazeta e përditshme britanike “Daily Express” veçon nga këto plazhe ato të qytezës së Ksamilit në Rivierën Shqiptare i cili është krahasuar shpesh me Maldivet nga përdoruesit e TikTok-ut dhe blogerët e udhëtimit.
“E dashur Itali, Kroaci dhe Greqi, më vjen keq t’ju them, por Riviera Shqiptare tejkalon çdo bregdet tuajin tjetër”, është një nga komentet e shumta të blogerëve që vlerësojnë vendin tonë dhe përmenden në artikull.
I njohur për plazhet me rërë të bardhë të Ksamilit dhe ujërat e qeta, qyteza ofron gjithjashtu një sërë opsionesh akomodimi, duke përfshirë dhoma që fillojnë nga vetëm 19 paund nata. Aktivitetet e njohura përgjatë bregdetit përfshijnë zhytje dhe not, por për ata që kërkojnë një qëndrim më të gjatë duke u relaksuar, ka shumë shezlongë të vendosura përreth bregdetit për të shijuar rrezet e diellit thuhet në artikull.
Krahas Ksamilit, rekomandohen edhe qytetet bregdetare të Sarandës, Himarës dhe Dhërmiut. Sugjerohet edhe Tirana, një qytet ku ndërthuret e vjetra me modernen dhe konsiderohet si ndalesa e parë perfekte përpara se turistët të zbulojnë pjesën tjetër të vendit.