Gjashtë persona janë arrestuar dhe një i shtatë është proceduar penalisht në gjendje të lirë në Durrës pasi filmonin njëri-tjetrin duke qëlluar me kallashnikov dhe videot i publikonin në TikTok.
Në pranga ranë M.S. 19 vjeç dhe babai i tij Nj.S. 56 vjeç nga fshati Rrushkull për armëmbajtje pa leje, K.P. 19 vjeç, K.J. 20 vjeç, A.T., 18 vjeç, A.H., 19 vjeç dhe E. T., 19 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Ndërsa i proceduari në gjendje të lirë është një 17-vjeçar për “moskallëzim krimi”.
7 të rinjtë e arrestuar/proceduar u kapën në flagrancë teksa po përgatiteshin për të qëlluar në kodrën e fshatit Hamallaj, me armë zjarri që i posedonin pa leje, me qëllim postimin e videove në rrjetin social “TikTok”.
Gjatë operacionit u gjet arma e zjarrit kallashnikov me të cilën të rinjtë kryenin qitje. Në vijim, gjatë kontrollit në banesën e shtetasve Nj. S. dhe M. S., ku u kap 56-vjeçari, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pushkë dhe municion luftarak. Së bashku me armët, u sekuestruan 2 automjetet me të cilat lëviznin këta shtetas, si dhe 8 celularë.