Masakra në Moskë, 4 të arrestuarit dalin para gjykatës, me sy të nxirë e vesh të prerë

Të mavijosur, e me shenja të forta dhune, 4 të dyshuarit si autorë të sulmit në sallën e koncerteve Crocus City në Moskë, kanë dalë para gjykatës ku u vendos se do të qëndrojnë në paraburgim  deri më 22 maj. Ata akuzohen për kryerjen e një akti terrorist, akuzë që sipas Kodit Penal rus dënohet me burgim të përjetshëm.

Të 4 të pandehurit janë nga Taxhikistani, një ish-republikë sovjetike, dhe kishin qenë në Rusi ose me viza të përkohshme ose me viza të skaduara. Ata u deklaruan fajtorë për të gjitha akuzat lidhur me sulmin e së premtes ku u vranë të paktën 137 persona dhe 69 të tjerë janë në gjendje kritike.

Të arrestuarit kanë shenja të dukshme dhune, por zëdhënësi i Kremlinit nuk i ka dhënë përgjigje pyetjes nëse ata ishin torturuar.

E diela ishte ditë zie kombëtare në Rusi, ndërsa janë shtuar polemikat mes Kremlinit dhe Uashingtonit që beson se sulmi është realizuar nga ISIS. Ndryshe pretendon Moska, që fajëson Kievin, e në këtë qasje, ajo ka nisur një  valë të re bastisjesh në të gjithë Ukrainën.

Presidenti Rus Putin në një deklaratë pretendoi se të dyshuarit kryesorë planifikonin të iknin në Ukrainë, por Volodimir Zelensky tha se ishte absurde të mendohet se burrat po përpiqeshin të kalonin një kufi të minuar rëndë, i mbushur me qindra mijëra ushtarë rusë.

Adrienne Watson, zëdhënësja e këshillit të sigurimit kombëtar të SHBA, tha se ISIS mbante përgjegjësinë e vetme për këtë sulm. Ambasadorja e SHBA në Ukrainë raportoi këtë mëngjes se Rusia kishte goditur Ukrainën dhe Kievin duke përdorur raketa hipersonike. Në total, që prej nisjes së luftës, Ukraina thotë se ka vrarë rreth 437 mijë ushtarë rusë.

Të Fundit