Agron Puka, 54-vjeçari të cilit pak ditë më parë iu bë atentat para derës së shkollës në Rrilë të Lezhës, është lënë në burg. Masa e sigurisë iu komunikua në ambientet e spitalit të Traumës aty ku po merr mjekim. Kujtojmë se Puka mbeti i plagosur nga kjo ngjarje, teksa më pas u vu në pranga sepse edhe ai rezultoi se ka qëlluar me një armë zjarri pa leje.
“Qëllova për vetëmbrojtje”, është shprehur ai para togave të zeza.
Kujtojmë se 54-vjeçari u zu në pritë nga 3 persona, të cilët janë shpallur në kërkim në lidhje me këtë ngjarje. Ata janë Vincens Tuku, Amarildo Kola dhe Kevin Ndoka.
Shkak i kësaj ngjarjeje është një konflikt i mëparshëm që dyshohet të ketë ndodhur në Lezhë. Ky atentat mund të kishte pasoja edhe më të rënda. Të shpallurit në kërkim hapën zjarr ndaj Pukës sapo ai la fëmijët në shkollë, teksa në zonë kishte shumë nxënës që do të frekuentonin mësimin atë mëngjes.