Policia ka bërë të mundur arrestimin e plagosjes me thikë të ndodhur ditën e djeshme në lagjen nr.5 Kavajë. Në pranga ka rënë 22-vjeçari Armando Sh., si autor i dyshuar i plagosjes së 55-vjeçarit me iniciale I.K., i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, pas disa orë kontrollesh në zonë për kapjen e autorit, kanë lokalizuar, kapur dhe arrestuar shtetasin A. Sh., 22 vjeç, autor i dyshuar i plagosjes së 55-vjeçarit”, njofton policia.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë, sekuestruan thikën me të cilin dyshohet se ka kryer plagosjen, si dhe automjetin me të cilin 22-vjeçari u largua nga vendi i ngjarjes.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.