Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken viziton sot për herë të parë Shqipërinë. Kreu i diplomacisë amerikane pritet të mbërrijë në Tiranë rreth orës 11:00 dhe do të largohet rreth orës 20:00.
Ai do të pritet në aeroportin “Nënë Tereza” nga ministri i Jashtëm, Igli Hasani.
Ndalesa e parë në kryeqytet do të jetë në ambasadën amerikane në Shqipëri, ku do të ketë një takim me punonjësit e saj për të shprehur vlerësimin për punën e bërë në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Në axhendë parashikohet një takim me Presidentin Bajram Begaj dhe më pas një ndalesë te piramida e Tiranës, ku do të takojë rreth 100 të rinj të cilët kanë pasur mundësi që nëpërmjet studimeve apo programeve të shkëmbimit të përjetojnë eksperiencën amerikane.
Rreth orës 16:00 pritet të nisë takimi me Kryeministrin Edi Rama dhe më pas edhe një konferencë e përbashkët për mediat e tyre në ambientet e kryeministrisë.
Për mbarëvajtjen e sigurisë gjatë vizitës së Blinken do të jenë të angazhuara mbi 1 mijë forca policore.
RRUGËT QË DO TË BLLOKOHEN
Ndalim parkimi – Duke filluar nga ora 19:30 e datës 14.02.2024 deri në orën 20.00 të datës 15.02.2024, në rrugët “Faik Konica”, “Dervish Hima”, “Ismail Qemali” (para Kryesisë së Kuvendit), “Gjergj Filipi”, “Lek Dukagjini”, Rruga e Elbasanit, “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Bajram Curri”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, si dhe rruga “Ukraina e Lirë” (Gjykata Kushtetuese), do të ndalohet parkimi i mjeteve në rrugë dhe në hapësirat e caktuara për parkim.
Ndalim qarkullimi:
Në fashat orare 09:30-12.30 dhe 17:30-20.00, të datës 15.02.2024, do të ndalohet qarkullimi në rrugët si më poshtë:
Interurbane dytësore Fushë Prezë-Rinas;
Interurbane dytësore Rinas-Qafë Kashar dhe anasjelltas;
Interurbane kryesore Qafë Kashar – ish-sheshi Shqiponja dhe anasjelltas;
Interurbane kryesore ish-sheshi Shqiponja-Teg-Sanatorium dhe anasjelltas;
Rruga e Elbasanit, rruga “Dervish Hima”, rruga “Faik Konica”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Themistokli Germenji”, rruga “Abdyl Frashëri”, rruga “Ukraina e Lirë”, rruga “Gjergj Filipi”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe bulevardi “Bajram Curri”.
Rrugë alternative:
Qytetarët që duan të shkojnë në aeroportin “Nënë Tereza”, më datë 15.02.2024, nga Durrësi dhe veriu, do të ndjekin përkatësisht drejtimin Vorë-Fushë Prezë-Rinas dhe kthim, Fushë Krujë-Fushë Prezë-Rinas dhe kthim, ndërsa nga juglindja dhe Tirana, do të ndjekin unazën lindore-Farmacia 10-Stacioni i Trenit-Bulevardi i Ri-Paskuqan-Kamëz -Valias-Aeroporti i Rinasit, dhe kthimi në të njejtin itenerar