Disa herë kemi transmetuar disa raste flagrante të abuzimit me kempet dhe pagesat e invaliditetit. Do të ndalemi sërish në këtë cështje.Sadete Balla është pensionistja, e cila në vitin 2013, ka dalë në kemp për probleme artriti dhe në prill 2015 ka marrë statusin përgjithmonë si invalide. Ndërkohë në po këtë vit ka mbushur moshën e pensionit. Ka zgjedhur pensionin e pleqërisë dhe pavarësisht kësaj, ka vijuar të marrë shtesën e invaliditetit, 33 mijë lekë të vjetra. Në momentin, që ka ndryshuar vendbanimin nga Elbasani në Durrës, i kanë nxjerrë probleme, duke i thënë, që nuk i takon. “Stop” shkoi në njësinë administrative të lagjes 13 në Durrës, ku punonjësi social na thotë, se sigurimet i kanë thënë, se zonjës nuk i takon. Por te kempi i drejtorisë rajonale të sigurimeve shoqërore në Durrës, na thuhet, se dosja nuk është administruar akoma.Pas verifikimeve, ne e shoqëruam zonjën, për të marrë vërtetimin përkatës dhe morëm konfirmimin e vijimit të pagesës shtesë të invaliditetit.Në Tiranë zonja Zejnebi Dervishi, është një pensioniste, e cila para një viti ka pësuar një aksident dhe ka mbetur e paralizuar. Megjithëse është drejtuar për kemp, zonja është refuzuar. Me lot na tregon, se prej 11 muajsh nuk lëviz nga krevati dhe është me pelena.Për këtë rast, Shërbimi Social shtetëror na sqaron, se e moshuara ka dalë në komisionin rajonal të Tiranës me divergjencë, pasi ka votuar kundër një anëtar dhe dosja është në komisionin epror.Nga ana tjetër Shërbimi Social shtetëror u shpreh, se për rastet e transmetuara në “Stop”, që merrnin kemp në mënyrë abuzive, janë ndërprerë pagesat dhe janë thirrur për rikomisionim dhe ekzaminime të gjendjes aktuale.
Në redaksinë tonë është drejtuar nëna e një djali maturant, që kur aplikoi për shkollë të lartë, një vit pasi kishte përfunduar maturën, rezultoi pa mesatare. Kur problemi u bë prezent, të dhënat hidhen sërish, por mesatarja doli 1. Si përfundim, djali humbi të drejtën për shkollë të lartë. Ne drejtohemi në ZVA Tiranë, ku na thonë, se komisioni i maturës shtetërore merret me këtë dhe problemi duhet të ishte zgjidhur në kohën e duhur. Më pas ne takuam përgjegjësen e maturës në gjimnazin “Ismail Qemali”, por Eda Zara e mohoi gabimin e saj.Faji edhe njëherë ka mbetur jetim, por një i ri është sot pa shkollë për të dytin vit.
Në godinën e Ministrisë së Kultures valëviten “krenarë” dhe të grisur flamujt e Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.Një qen është fotografuar i lidhur mbi një makinë, me të cilën po e transportojnë. Janë këto disa episode nga rubrika “Hitparade i absurdit shqiptar”.