3-vjeçarja e dhunuar nga edukatorja në kopshtin privat “4 Stinët” ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Halla e saj shpjegon për emisionin “Opinion” në Tv Klan se këmba që i ka thyer edukatorja Majlinda Dehima i është vendosur për herë të dytë në allçi për të shmangur ndërhyrjen kirurgjikale.
Familjarja thekson se gjendja psikologjike e vogëlushes si dhe prindërve të saj është e rënduar nga ngjarja traumatike.
Familjarja: Vajza është te Amerikani, po ndiqet aty. Eshtë marrë masa më e thjeshtë e mundshme sepse ne si familjarë duam që ta shmangim ndërhyrjen kirurgjikale. Është vënë në allçi për herë të dytë dhe e vetmja gjë që na ngelet është që të lutemi që këmba t’i shkojë në vend dhe mos të ketë nevojë për gjëra të tjera.
Blendi Fevziu: Është akoma në spital ë?
Familjarja: Po, po patjetër. Me shumë besim, nesër besoj se do e nxjerrin sepse e shikojnë që fëmija dhe dua ta theksoj, edhe prindërit janë në gjendje psikologjike shumë të rëndë. Jam unë që jam halla, por prindërit pas 8 ditësh horrori që kanë kaluar… nuk e di… ne presim që ta nxjerrim sepse është më mirë që të qëndrojë në ambiente familjare sepse edhe pjesa e mjekëve, infermierëve ka traumat e veta.