Miratohet ligji, nga 1 janari nuk mund të zhdoganohen makinat më të vjetra se viti 2014

Nga 1 janar 2024 nuk mund të zhdoganohen vetura më të vjetra se viti 2014. Qeveria e Kosovës në vitin 2017 ka miratuar një ligj e cili thotë se “mjetet rrugore që importohen në Kosovë, nuk mund të jenë më të vjetra se 10 vjet”.

Veturat më të vjetra se 10 vite nuk lejohen të zhdoganohen në Kosovë, kësisoj Dogana e Kosovës ka bërë një rikujtim për qytetarët se automjetet më të vjetra se viti 2014, nuk do të mund të zhdoganohen nga janari, 2024.

 

Me ligjin për automjete që ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës, thuhet qartë se veturat që janë më të vjetra se 10 vjet nuk mund të importohen.

“Në Kosovë nuk mund të importohen vetura më të vjetra se 10 vjet. Në Kosovë nuk mund të importohen vetura që nuk e plotësojnë standardin Euro katër), thuhet në nenin 44 të ligjit për automjete.

Gjithashtu, ligji parasheh që mjetet rrugore që importohen në Kosovë duhet të kenë certifikatë të konformitetit për vetura të reja dhe dëshmi të origjinës dhe pronësisë së mjetit ose pjesëve të veçanta të instaluara.

Ndryshe, shumë qytetarë kanë kundërshtuar ligjin që është në fuqi për automjete, ndërsa ekspertët vlerësojnë se importimi i veturave më të vjetra se 10 vjet ka efekte negative.

Ka disa vite prej kur deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku ka iniciuar plotësim-ndryshimin e ligjit për importin e veturave, ku kërkohet heqja e kufizimit të vjetërsisë, por që ende nuk është marrë një vendim i tillë.

Sipas tij, ky ligj në Kosovë është krijuar me një standard të dyfishtë, derisa potencon se një gjë e tillë i duket e padrejtë, por që nuk po gjen pajtueshmëri të deputetëve shumicë që të marrin pjesë në votim.

“Këto kritere nuk janë as në Zvicër, as në Gjermani, as në vendet e Ballkanit që janë të anëtarësuara, që janë pjesë e Bashkimit Evropian, prandaj mendoj që është e padrejtë dhe si e tillë kam kërkuar plotësim ndryshimin e ligjeve për automjete por fatkeqësisht nuk e kam gjetur pajtueshmërinë e deputetëve shumicë që të marrin pjesë në votim”.

Veturat më të vjetra se 10 vjet në Kosovë janë 80 për qind të amortizuara dhe se në këtë drejtim duhet të ketë një mbikëqyrje më të madhe nga organet shtetërore.

Kështu shprehet eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj duke shtuar se qytetari duhet të zgjedh ndërmjet veturës së re e me kosto të mirëmbajtjes më të lirë dhe asaj të vjetrës me çmim më të shtrenjtë.

“Automjetet të cilët i kalojnë 10 apo 12 vite konsiderohet si të amortizuar për 80 për qind, prej këtij pozicioni nëse e shikojmë, atëherë ato duhet ta kenë një përkujdesje më të madhe nga organet shtetërore, për sa i përket kontrollimit teknik. Ne e dimë se në Kosovë e kemi kontrollimin teknik periodik për automjetet zyrtare ose për ato që janë në shërbim për palën e tretë, si dhe kontrollimin e rregullt, sidomos e kemi kontrollimin e jashtëzakonshëm”.

Sipas tij, paralelisht me ndryshimin e Ligjit për Automjetet duhet të jetë edhe ndryshimi i Ligjit për Doganimin e Automjeteve.

“Paralelisht me ndryshimin e Ligjit për Automjetet duhet të jetë edhe ndryshimi i Ligjit për Doganimin e Automjeteve, për shkak se qytetarit duhet t’i ofrohet që përmes sistemit të lehtësimit të lehtësimit të doganave, duhet të ofrohet i njëjti çmim i 12-vjecarit me 6-vjecarin, ku në këtë formë atëherë do të kishim mundur ta ruajmë sigurinë në komunikacion, rifreskimin e veturave për një periudhë deri 5-vjeçare deri në 10-vjeçare, ku pastaj duhet të bëhet analizimi për futjen e ekotestit”.

Eksperti i komunikacionit thekson se procedurat aktuale të doganimit e kanë bërë të mundshme që të importohen veturat e vjetra.

Në vendin tonë mbetet në fuqi ligji me të cilin, një veturë mund të regjistrohet dhe të pajisjet me targat RKS, vetëm nëse është nga viti 2013-2023, konkretisht 10 vite më e vjetër nga viti ekzistues. Për një numër të madh të qytetarëve, regjistrimi i veturave të vitit 2013, është i pamundur.

Kjo për shkak se deri tek targat, më e lira do t’i kushtonte rreth 3500 euro, pa llogaritur blerjen e veturës në vendet evropiane dhe koston e importit deri në Kosovë. Në nenin 44 të Ligjit për automjete që është miratuar qysh në vitin 2017, thuhet se “mjetet rrugore që importohen në Kosovë, nuk mund të jenë më të vjetra se 10 vjet”.

 

Të Fundit