Policia e Korçës njofton se ka vënë në pranga një 36-vjeçar, i cili posedonte lëndë narkotike dhe municion luftarak në pikën e grumbullimit të skrapit që kishte në përdorim.
Në pranga ka rënë shtetasi R.K., banues në Korçë. Atij i janë gjetur dhe sekuestruar një sasi municioni luftarak, 2 vazo qelqi me sasi të dyshuar lëndë narkotike cannabis sativa dhe disa qese plastike me 2.4 kg lëndë të dyshuar narkotike cannabis.
“Korçë/Kontrolle intensive dhe punë operacionale e pandërprerë, në kuadër të megaoperacionit policor antidrogë, të koduar “Tempulli”. Goditet një tjetër rast i shitjes së lëndëve narkotike, në doza, afër shkollave dhe në zona të tjera në qytet.
Posedonte lëndë narkotike dhe municion luftarak, në pikën e grumbullimit të skrapit që kishte në përdorim të tij, vihet në pranga 36-vjeçari. Sekuestrohen mbi 2.4 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa dhe municion luftarak.
Si rezultat i kontrolleve intensive të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, me mbështetjen e informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, për një shtetas që dyshohet se shpërndante lëndë narkotike në qytetin e Korçës dhe posedonte sende të kundërligjshme, organizuan punën me qëllim kapjen dhe vënien e tij para përgjegjësisë penale.
Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi R. K., 36 vjeç, banues në Korçë.
Shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në lagjen nr. 17, Korçë, në një pikë grumbullimi skrapi të cilën 36-vjeçari e kishte në përdorim, ku gjetën një sasi municioni luftarak, 2 vazo qelqi me sasi të dyshuar lëndë narkotike cannabis sativa dhe disa qese plastike me 2.4 kg lëndë të dyshuar narkotike cannabis. Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjet edhe një tjetër sasi municioni luftarak, e cila u sekuestrua, së bashku me provat e tjera materiale.
Nga hetimet e kryera dyshohet se shtetasi R. K., në bashkëpunim me shtetas të tjerë, shpërndante lëndë narkotike në afërsi të dy shkollave të mesme, në lagjen nr. 17, Korçë. Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të këtij aktiviteti kriminal dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të implikuar. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.”, thuhet në njoftimin e Policisë së Korçës.