Një ngjarje e rëndë është shënuar ditën e sotme në Hamburg pasi ka rënë një skelë nga kati i 8-të në një kantier të madh ndërtimi.
Numri i viktimave ka shkuar në 4, një i plagosur rëndë dhe disa tjerë të lënduar lehtë. Mediat gjermane raportojnë se ekziston frika që numri i viktimave të rritet pasi ka ende shumë të zhdukur.
Janë rreth 150 punonjës të shpëtimit në vendin e ngjarjes që po punojnë për të gjetur personat e zhdukur. Në momentin e aksidentit në kantier punonin rreth 700 persona. Burime bëjnë me dije se shumica e punonjësve që punonin në këtë kantier janë shqiptarë dhe dyshohet se ka shqiptarë mes viktimave dhe të plagosurve.
Aksidenti ka ndodhur në Überseequartier, ku po ndërtohej një projekt i madh që përfshinë një qendër të madhe tregtare me shumë dyqane, restorante, ambiente argëtimi, zyra, një terminal lundrimi, hotele dhe më shumë se 1000 apartamente.
Senatori i Brendshëm Andy Grote foli për ngjarjen duke u shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave të përfshira në këtë aksident.
“Ngushëllimet e mia të sinqerta shkojnë për të gjitha familjet e viktimave. Të lënduarve rëndë i uroj shërim të shpejtë. Falenderojmë gjithashtu punonjësit e shpëtimit; Ky është një operacion shumë i ndërlikuar me një rrezik të lartë të natyrshëm”, shkruan ai.