Një shoqëri ndërtimi denoncon njërin prej ish-aksionerëve të saj, Sabri Shera, se ka bërë kontrata pa miratimin e kompanisë, edhe pasi kontrata e bashkëpunimit ishte revokuar. Sipas kontratës së bashkëpunimit në 16 nëntor 2017, Sabri Shera figuron si investitor i parë dhe shoqëria e ndërtimit, është investitor i dytë. Të dy palët morën përsipër të bashkëpunonin për ndërtimin e një objekti në kryeqytet, ku do të njihnin si ekskluzive një kontratë sipërmarrjeje me palën pronare të truallit të vitit 2012.Pasi të zbardhej leja zhvillimore, pala pronare do të merrte 38 përqind të ndërtimit, 60 përqind Sabri Shera dhe 2% shoqëria. Shoqëria shprehu dakordësinë, që të drejtën e ndërtimit do ta kryente Sabri Shera, kurse leja zhvillimore do të ishte në emër të kompanisë.Shoqëria me administrator Saim Ketën dhe ortak Mustafa Kurtin, vendosi të revokojë marrëveshjen e bashkëpunimit në korrik 2022. Por me ndihmën e noteres Perian Bodinaku, Sabri Shera përdori një prokurë të përgjithshme të korrikut 2020, për të lidhur kontrata sipërmarrjeje, prenotime apartamentesh dhe njësish tregtare me qytetarë të ndryshëm.Por, ka një problem:Në vitin 2022 Sabri Shera me revokimin e kontratës së bashkëpunimit, u zhvesh nga fuqia juridike. Ndërkohë, në prill 2023 shoqëria e ndërtimit shitet dhe kalon në pronësi të një administratori të ri, i cili për më tepër nuk shihet të figurojë në asnjë prej kontratave të reja të prenotimit, edhe pse nga një kërkim i thjeshtë në QKB, dukshëm shihet, se ka administrator të ri.
Pak ditë më parë transmetuam disa materiale shqetësuese, që qarkullojnë në rrjete sociale, të një zonje, e cila prezantohet si pastore. Alketa flet për Jezus Krishtin dhe mbledh njerëz të grupmoshave të ndryshme. Ajo kryen rituale të rrezikshme në emër të pastrimit të shpirtit, shërimit e heqjes së magjisë.Për Vëllazërinë Ungjillore dhe për psikologët, materiale të tilla janë shumë shqetësuese.Këto video janë si skena horrori dhe shumë të dëmshme për personat, që janë manipuluar.Veprimtaritë publikohen në një profil të emërtuar “ Kisha Online Jezus Krishti Zot”.Menjëherë pas transmetimit tonë, Alketa ka dalë në rrjetet e veta sociale, për një reagim, që është pak ta quash qesharak.
Dy javë më parë transmetuam denoncimin e zonjës Nafije në adresë të Azilit Privat “Rrezet e jetës”. Në këtë shtëpi për kujdesin e të moshuarve ishte akomoduar nëna e saj, e ndjera Kadrije Ruko, nga djali i madh. Sipas Nafijes, nëna 86 vjecare e paralizuar, është dhunuar dhe abuzuar në këtë institucion.Nafija e vizitonte të ëmën dhe kjo e fundit i thoshte, se e keqtrajtonin e nuk i jepnin për të ngrënë e për të pirë.Madje vetë Nafija konstatoi hematoma në trupin e së ëmës së ndjerë.Zonja Nafije ka edhe fotografi, që i ka bërë së ëmës, ku duken shenjat e abuzimit. Lili Sadaj, bashkëshortja e administratorit të azilit “Rrezet e Jetës”, tha, se e ndjera Kadrije, herë pas here bënte veprime të pakontrolluara. Nga ana tjetër, për doktorin e qendrës Selim Ibrahimi, diagnoza ishte tension dhe probleme kardiake.Pas transmetimit tonë, inspektori i Drejtorisë së Inspektimit të Standarteve të Shërbimeve Shoqërore Ardian Stafa, pas kontrollit në këtë institucion thotë, se nuk është gjetur asnjë situatë e dokumentuar, ngjarje pozitive apo incidente. Azilit privat i është lënë detyrë, që të dokumentojë cdo vizitë, përshtypje apo ankesë, dhe nëse nuk plotësohet kjo detyrë, “Rrezet e jetës” mund të përballet me pezullim të licensës.