Peizazhet mahnitëse malore të Shqipërisë, rrënojat e kështjellave, kryeqyteti i zhurmshëm dhe plazhet e ëndërruara po rivalizojnë çdo vend në Mesdhe dhe vazhdojnë të magjepsin”.
Me këtë koment, “Lonely Planet” një nga agjencitë më prestigjioze të turizmit në botë ka futur Shqipërinë në listën e 30 destinacioneve më të mira në botë për udhëtime në 2023-in.
Për Shqipërinë thuhet se janë të pakta vendet ku mund ta nisësh ditën në mal dhe ta mbyllësh në det. “Lonely Planet” thotë se bukuria natyrore e Shqipërisë do t’ju lërë pa frymë dhe se do shpenzoni më pak sesa Greqia fqinje.
“Shqipëria po bëhet dalëngadalë xhevahiri i Ballkanit për shkak të ujërave të saj të kristalta, maleve mbresëlënëse dhe përballueshmërisë së çmimeve për të gjitha llojet e udhëtarëve. Ejani me një mendje të hapur dhe plane të pakta, por bëhuni gati të zhyteni në një kulturë të pasur si asnjë vend tjetër në Evropë”, shkruan Lonely Planet.
Agjencia e njohur amerikane bën edhe sugjerimet e saj se çfarë nuk duhet lënë pa vizituar në Shqipëri duke e nisur nga Thethi, si vendi më i mirë për adhuruesit e ecjes në mal dhe aventurave.
Së dyti Korça, si një nga qytetet e veçanta të vendit dhe më pas Gjirokastra, qyteti i gurtë, pasuri e Uneskos. Dhërmiu konsiderohet si vendi më i mirë për të shkuar në plazh.
Shkodra, konsiderohet si qyteti më i mirë në veri të vendit me kështjellën dhe liqenin. Lini në Pogradec citohet si fshati më i qetë në Shqipëri. Saranda është qyteti më i vizituar gjatë verës dhe në fund Porto Palermo si destinacioni më i nënvlerësuar i Rivierës Shqiptare.