Mijëra njerëz kanë ngecur në festivalin Burning Man në Nevada, SHBA pasi shirat e rrëmbyer kanë kthyer tokën e thatë në baltë të trashë.
Një person ka humbur jetën dhe autoritetet kanë nisur hetimet, por nuk janë dhënë detaje të tjera lidhur me ngjarjen.
Festivali Burning Man organizohet në shkretëtirën Black Rock e cila njihet për terrenin e thatë. Pjesëmarrësit janë njoftuar që të gjejnë strehë, të ruajnë ushqimet ndërsa rrugëdaljet janë bllokuar dhe mjetet nuk mund të lëvizin.
Mund të duhen disa ditë përpara se toka të thahet që njerëzit të mund të largohen ndaj iu është kërkuar të marrin masa. Mendohet se në festival ndodhen rreth 70.000 persona.
Shirat e pazakontë ranë në ditën e fundit të festivalit 9-ditor kur turma u mblodh për të parë ngjarjen kryesore – djegien e një statuje gjigande druri.
Disa prej atyre që janë përpjekur të largohen, kanë ngecur në baltën e trashë si argjilë. Tendat janë gjysmë të rrëzuara në ujin e përzierë me baltë.
Furtuna ka kaluar, por ka ende gjasa për stuhi të tjera.