Kjo është fotografia zyrtare e arrestimit nga policia të ish-Presidentit amerikan Donald Trump si person i dyshuar.
Mbrëmjen e të enjtes, Trumpit iu komunikua arresti për një sërë akuzash që kanë të bëjnë me përpjekjet e ish-Presidentit për të përmbysur rezultatin zgjedhor të vitit 2020 në shtetin e Georgia në SHBA.
I burgosuri me numrin P01135809 është pikërisht Donald Trump, jo i buzëqeshur por duke parë drejt kamerës i inatosur. Është ky përshkrimi në të dhënat e burgut të Fulton.
Por Trump qëndroi aty vetëm 20 minuta pasi u lirua me kusht duke vendosur një garanci pasurore prej 200 mijë Dollarësh.
Ndërkohë, jashtë godinës ku Trump po mbahej i arrestuar ishin mbledhur simpatizantët e ish-Presidentit amerikan.
Ky është arrestimi i katërt në 5 muaj i Donald Trump. 77-vjeçari është ish-Presidenti i parë amerikan që përballet me akuza penale. Por Trump duket se nuk ka ndërmend të dorëzohet. Ai po garon brenda republikanëve për të dalë sërish kandidat në zgjedhjet e ardhshme presidenciale amerikane për të sfiduar Joe Biden.
Për çështjen e zgjedhjeve në shtetin e Georgia, bashkë me Trump janë akuzuar edhe 18 persona të tjerë, bashkëpunëtorë të ish-Presidentit, të cilët u arrestuan, mes të cilëve dhe ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut Rudy Giuliani. Të gjithë u liruan me kusht, përveç një bashkëpunëtori të Trump i cili iu dorëzua autoriteteve pa bërë marrëveshje për lirim me kusht.
Trump u akuzua se kishte ndërhyrë në rezultatin e zgjedhjeve në Giorgia në vitin 2020 pas humbjes së tij ndaj rivalit Biden me më pak se 12 mijë vota në këtë shtet.
Ish-Presidenti është dëgjuar në një telefonatë duke i bërë presion komisionerit më të lartë të zgjedhjeve në Giorgia për të gjetur 11,780 vota gjatë numërimit të votave.
Ndër akuzat me të cilat përballet Trump janë shantazhi, nxitja e një zyrtari shtetëror për të shkelur betimin, komplot, komplot për të kryer falsifikim dhe deklarata të rreme.
Pasi u lirua me kusht, Trump u tha gazetarëve se ishte e drejta e tij të kundërshtonte rezultatin e zgjedhjeve.
“Mendova se zgjedhjet ishin të manipuluara, zgjedhje të vjedhura. Dhe unë duhet të kem çdo të drejtë ta bëj këtë. Gjatë viteve keni parë shumë njerëz të bëjnë këtë gjë, qoftë Hillary Clinton apo Stacey Abrams”, tha Trump.
Ish-Presidenti Trump bëri kritika edhe ndaj prokurorit që ngriti akuzat, një demokrat të cilin e akuzon se po përpiqet të sabotojë fushatën e tij elektorale për në Shtëpinë e Bardhë.