Një grua nga Michigan ka thyer rekordin botëror Guinnes, për mjekrën më të gjatë në botë, pasi ka hequr dorë nga rutina e saj e rruajtjes tri herë në ditë.
Erin Honeycutt, 38 vjeçe, arriti që ta rrisë mjekrën deri në 30 cm kryesisht sepse ajo vuan nga sindroma e vezores policistike, thanë zyrtarët e Guinness në një njoftim për shtyp.
Një gjendje e tillë shkakton çekuilibër hormonal dhe ndër të tjera mund të çojë në rritje të tepërt të qimeve.
Në rastin e Honeycutt, kjo simptomë e lejoi që të merrte titullin me mjekrën më të gjatë në botë pa marrë asnjë hormon apo suplement shtesë.
Rruajtja, depilimi dhe përdorimi i produkteve për heqjen e qimeve ishin të gjitha mënyrat me të cilat Honeycutt u përpoq ta mbante mjekrën e saj të zbutur kur ajo filloi të rritej pasi mbushi 13 vjeç.
“Unë ndoshta rruhesha të paktën tre herë në ditë”, i tha ajo organizatës.
Sindroma e vezores policistike nuk ka qenë e vetmja problematikë e lidhur me shëndetin e Honeycutt. Asaj i është prerë gjysma e poshtme e njërës këmbë pasi zhvilloi një infeksion bakterial gjatë qëndrimit në spital për të trajtuar një dëmtim të këmbës.
Këmba e Honeycutt ishte bërë septike dhe gangrenoze kur asaj iu pre gjysma e gjymtyrëve rreth pesë vjet më parë, tha Guinness.
Artikulli i Guinness shtoi më tej se Honeycutt kishte pësuar edhe një goditje në sy të shkaktuar nga presioni i lartë i gjakut.
Honeycutt tha se ajo largoi ndjenjat negative për problemet e saj mjekësore, pasi kishte ruajtur një këndvështrim pozitiv për jetën.
Ajo pretendoi se mjekët i thanë se do të shërohej më shpejt nëse do të qëndronte me mendime pozitiv.
Humbja qendrore e shikimit ndikoi veçanërisht në vendimin e saj për të ndaluar rruajtjen, shtoi Honeycutt.
Më pas, Honeycutt tha se ishte kurioze se si do të dukej me mjekër të rritur plotësisht pasi besonte se mund të kishte një mjekër mjaft të mirë.