Aligatori “më i vjetër në botë” ende kërkon dashuri në Beograd

Askush nuk e di saktësisht se si aligatori Muja u mbijetoi bombardimeve ajrore që shkatërruan kopshtin zoologjik të Beogradit gjatë Luftës së Dytë Botërore apo në muajt e braktisjes që pasuan, por Kristijan Ovari ka një teori.

“Supozimi im është se disa nga kujdestarët po vinin [në kopsht] me ushqim”, tha biologu i kopshtit zoologjik të Beogradit për luftën që vrau çdo kafshë të madhe të kopshtit zoologjik përveç Mujës dhe një hipopotami.

“Unë e di se si janë kujdestarët. Kur punoni në një kopsht zoologjik, lidheni shumë emocionalisht me kafshët”.

Ovari ndaloi pak para se të shtojë: “Unë, thjesht, mund të qaj tani”.

Muja është aligatori amerikan më i vjetër i njohur në botë dhe me siguri po u afrohet të nëntëdhjetave.

Arkivat e Kopshtit Zoologjik të Beogradit u shkatërruan gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe data e lindjes së Mujës nuk dihet, por një copëz gazete e 10 gushtit 1937 shkruan se ai arriti në kopshtin zoologjik nga Gjermania. Mendohet se në atë kohë ai ishte rreth dy vjeç.

Aligatorët në natyrë zakonisht jetojnë deri në 50 vjet – nisur nga ky fakt është e mundshme që Muja të jetë aligatori më i vjetër që ka jetuar ndonjëherë.

“Unë jam ende i mahnitur me të”, tha Ovari për Radion Evropa e Lirë. “Sa herë që vjen sezoni i mbarështimit, ai fillon të kërkojë partneren, edhe tani”.

“Thirrjen” për çiftëzim në pranverë aligatorët e shfaqin duke e përkulur shpinën, duke u dridhur dhe më pas duke lëshuar një ulërimë.

Fotot e ruajtura në Arkivin e ish-Jugosllavisë tregojnë se Muja kishte një partnere pasi kopshti zoologjik u rindërtua pas luftës. Femra vdiq në vitet 1960, pasi një kujdestar e mbushi gabimisht pishinën e tyre me ujë të nxehtë, shkruan Syzanw Paccarizi nga REL.

Muja mbijetoi pa u lënduar nga bombardimet naziste, pastaj nga ato të aleatëve të NATO-s në Beograd më 1999. Por, në vitin 2012, Muja u shpërfytyrua pas një operacioni urgjent.

Aligatorit Muja iu krijua një gangrenë në këmbën e tij të djathtë të përparme dhe u desh t’i nënshtrohej një një operacioni, i cili u krye nga një ekip i kombinuar mjekësh dhe kirurgësh veterinerë, i pari i këtij lloji në Serbi.

Biologu Kristijan Ovari tha se Muja “me siguri do të kishte ngordhur” po të mos ishte operuar.

Midis kohës së ushqyerjes së tij javore, kur përtyp pula të tëra, peshq dhe minj, Muja mezi lëviz, përveçse kur herë pas here godet insektet.

Disa vizitorë bëjnë shaka duke thënë se kafsha gati e palëvizshme është e balsamuar. Një gazetar serb e kapi një legjendë të qëndrueshme të Mujës gjatë një bisede të shkurtër që dëgjoi ndërmjet një vajze të vogël dhe gjyshit të saj teksa e shikonin aligatorin në tharkun e tij.

“Gjysh, a është gjallë ky aligator?”, pyeti vajza.

“Nuk e di, zemër. E pyeta gjyshin tim të njëjtën gjë 60 vjet më parë”, u përgjigj burri.

Të Fundit