Rrit me 80 milionë Euro më shumë planifikimin e blerjeve të valutës
Banka e Shqipërisë ka vendosur të ndërhyjë në tregun valutor duke blerë më shumë Euro për të minimizuar efektet nga zhvlerësimi i përshpejtuar që ka pësuar kjo monedhë në raport me Lekun. Banka njofton se ka rritur zyrtarisht shumën e planifikuar të blerjeve të valutës për vitin 2023 duke e çuar në 80 milionë Euro më shumë.
Në fillimvit ishte parashikuar të bliheshin në treg 160-220 milionë Euro. Por së fundmi sipas informacioneve të vetë bankës qendrore, gjatë vitit 2023 me objektiv rritjen e rezervës valutore, do të blihen përmes ankandeve 220-300 milionë Euro.
Vendimi i Bankës së Shqipërisë për ndërhyrë në kursin e këmbimit duket se ndërmerret nisur edhe pas kërkesës të shoqatës së eksportit të cilët kanë kërkuar marrjen e masave. Eksportuesit shqiptarë kanë paralajmëruar se nga humbjet e zhvlerësimit të monedhës europiane mund t’i çojë drejt falimentimit.
Guvernatori Gent Sejko pak ditë më parë bëri të ditur se deri më tani janë tërhequr nga tregu 170 milionë Euro.