Policia e Sarandës ka konstatuar 4 raste të ndërtimeve të paligjshme, 3 prej tyre në Ksamil. Për këto raste janë proceduar në gjendje të lirë 4 persona.
“Si rezultat i kontrolleve dhe i verifikimeve në terren, në vijim të operacionit “Coastline”, me qëllim parandalimin, konstatimin dhe goditjen e paligjshmërive në fushën e ndërtimeve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë konstatuar dhe goditur 4 raste të tjera të paligjshmërive në këtë fushë, për të cilat u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit: B. M., 41 vjeçe, E. Ll., 38 vjeç, A. Z., 31 vjeç dhe B. H., 39 vjeç”, njoftoi policia.
Gjatë kontrolleve të kryera nga shërbimet e Policisë, 3 shtetasit e parë janë konstatuar duke kryer punime të ndryshme ndërtimi pa lejen e organeve kompetente, në zona bregdetare në Ksamil, ndërsa shtetasi B. H. është konstatuar duke kryer punime ndërtimi në zonë urbane.
Policia thotë se operacioni policor “Coastline”, për goditjen e krimeve kundër mjedisit vijon.