Në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, kryedemokrati Berisha u shpreh i prerë se ata nuk do ta pranojnë kurrë rezultatin e zgjedhjeve të 14 Majit.
Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se procesi i zgjedhjeve ka qenë një piramidë e blerjes së votave dhe se një raport serioz do të hartohet pas analizës teknike.
Sali Berisha: Ne po ndjekim dhe do ndjekim gjer në fund, për të vërtetuar çdo shkelje ligji, dhunim vote në këtë proces zgjedhor. Nuk mund të njohim ne kurrë rezultatin e zgjedhjeve të dominuar nga komisionerë të paligjshëm në qendrat e votimit. Aty ky Edi Rama ka vendosur komisionerë në kundërshtim me ligjin, që të gjitha, sado të jenë ato, 1000 apo 2000, do kundërshtohen dhe nuk do njihet rezultati i tyre. Kjo përbën shkeljen më masive, më flagrante të rezultatit. Nuk mund të pranohet asnjë rezultat nën terror. Nuk do mund të pranojmë një proces në të cilin 870 mijë votues morën direkt apo në potencial, bonus me para. Që këtu kjo është një piramidë mashtrimi, një piramidë blerje vote. Degët, kandidatët dhe kryetarët kanë dorëzuar këto ditë me qindra e qindra dokumente, filmime, deklarata, fotografi dhe të tjera. Një raport serioz do hartohet pas analizës teknike të gjithanshme të procesit zgjedhor.
Berisha thotë se me përfundimin e fazës së hartimit të raportit do të nisë faza e dytë që sipas tij, do të jetë analiza e të gjithë veprimtarisë së Partisë Demokratike.
Sali Berisha: Me përfundimin e kësaj faze, do nisë faza e dytë, mendoj unë. Faza e dytë do jetë analiza e të gjithë veprimtarisë sonë. Një analizë me përgjegjësinë më të madhe, transparencën më të madhe. Një analizë siç u takon ta bëjnë atyre që janë në një mision shumë të vështirë, por pa këtë analizë ata hapa të sigurt në misionin e tyre nuk bëjnë dot. Kjo analizë do përfshijë PD-në në të gjitha nivelet dhe do zbatohet në statutin e partisë që do zbatohet pikë për pikë, siç e keni votuar. Këtu nuk mund të kemi ekuivoke. Por është e domosdoshme që të bëjmë gjithçka për të dokumentuar çdo faktor, çdo ndërhyrje, çdo ngjarje që ka ndikuar në këtë proces, në këtë megafarsë, të cilën Edi Rama pasi e kreu krimin, shpërndau miliona euro për propagandën për të shpifur në historinë e këtij vendi. Po cila ishte pjesëmarrja, më thoni ju? Nëse 1.3 milion qytetarëve iu ndërrua qendra e votimit dhe votuesve socialistë iu dha patronazhistit dhe aktivistit se ku është qendra, këtu u godit elektorati ynë.