Thethi pa energji elektrike, banorët protestojnë në nisje të sezonit

Pika turistike e Thethit ndonëse mban rekordin e turistëve në veri të vendit, prej vitesh vuan furnizimin e rregullt me energji elektrike dhe asgjë nuk është bërë për zgjidhjen e kësaj problematike.

Problemet me energjinë elektrike kanë nxitur banorët e Thethit që në fillim të sezonit turistik të protestojnë pranë hidrocentralit të Ndërlysës ku pavarësisht kërkesave të tyre për përmirësim të situatës, asnjë ndërhyrje deri tani nuk është bërë nga autoritetet përkatëse.

Çdo vit pronarët e bujtinave raportojnë për dëme të konsiderueshme të elektroshtëpiakeve dhe askush nuk mban përgjegjësi .

Një grup të rinjsh turistë nga Spanja prej mëngjesit ndodheshin në Theth dhe mungesa e energjisë elektrike nuk iu duk aspak normale .

“Jemi një grup të rinjsh spanjoll që kemi ardhur me pushime. Na pëlqen shume vendi por kemi pasur disa probleme sepse nuk mund të karikonim dot telefonat dhe kështu nuk mund të kontaktonim as me familjaret. Te vjen shume keq sepse këtu është një parajse e vërtetë dhe nuk gjendet zgjidhja për energjinë elektrike apo mbeturinat,” – u shpreh një turist spanjoll.

“Ne mbërritem sot në mëngjes në Theth dhe tentuam të kontaktojmë hotelin që kishim rezervuar, por nuk na u përgjigjen. U sorollatem për disa ore derisa rastësisht u takuam. Na treguan se nuk ka energji elektrike prandaj telefonat ishin te fikur. Edhe për ne është problem të jemi në një vend kaq të magjishëm, por pa energji elektrike,” – tha një turiste.

Deri në një ndërhyrje nga OSHEE për zgjidhjen e kësaj problematike dhe përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes, Thethi rrezikon sezonin turistik.

 

Të Fundit