Kryeministri Edi Rama ka takuar sot dhe bluzat e bardha në Klos. Në një bashkëbisedim me mjekët dhe infermierët e kësaj zone, ai vuri theksin te rritja e pagave që fazën e parë e ka këtë muaj.
“Në rrogën që merrni tani do keni rritjen e parë, Prill me Prill ju do merrni shtesën tjetër dhe faktikisht paga bazike do t’ju rritet 20 mijë lekë të reja që natyrisht varion sipas vjetërsisë, orëve. Dhe për infermierët 15 mijë lekë dhe me këto rritje ne jemi në nivelin e lartë të rajonit, nuk kemi më sakëlldinë e madhe dhe të ulim kokën e të themi obobo jemi në fund. Nëse do kemi mundësi të reja patjetër që do rrisim pagat sepse rritja e të ardhurave për frymë thuajse është dyfishuar, por pa e çuar në 10 mijë euro për frymë ne nuk e kemi detyrën të përmbushur, por si fazë zhvillimi kështu duhet të përmbyllet.
Pa e çuar në 60 mijë lekë pagën minimale prapë nuk e kemi bërë detyrën, por për këtë duhet të rrisim ekonominë, ju e patë raportin e fundit të Bankës Botërore sepse kemi ende të pashfryëzuar turzimin. Sot kemi të gjitha kapacitetet e prenotuara dhe patjetër aspekti tjetër është energjia, duke arritur të bëhemi sovranë më pas ato para do mbeten këtu dhe do investohen dhe do të rishpërndahen dhe nëse drejtuesja e qarkut tuaj do arrijë të na e çlirojë naftën dhe gazin nga kuçedra atëherë ne jemi komplet në një nivel tjetër. Shpresoj shumë të kemi lajme të mira në muajt në vijim, është në dorën e Belindës.”
Kryesocialisti tha se qëllimi kryesor është që rritja ekonomike të garantojë të ardhura të mjaftueshme për secilin qytetar.
Duke qenë se një numër i lartë infermierësh dhe mjekësh janë larguar jashtë vendit, Rama theksoi se në Gjermani, Itali apo vende të tjera jetesa është shumë e shtrenjtë dhe ndryshe nga këtu, pavarësisht rrogës së lartë, nuk mbeten para për të mbyllur muajin.
“Por të rrimë me këmbë në tokë dhe ta shohim të ardhmen me shumë optimizëm. Zoti na i kurseftë ato prurjet e erës sepse për një vend si i joni janë të tepërta. Dua t’ju falenderoj, sidomos për zonjat që e kanë nisur këtë punë prej vitesh dhe kanë punuar në ato qëndra shëndetësore komplet palidhje, sot është më motivuese dhe më e kënaqshme të ushtrosh profesionin fisnik në kushte të mira. Jo se gjithçka ka mbaruar, por ato që kemi bërë tregojnë qartë se ku duam të shkojmë.
Shpresoj shumë që ne do mund të krijojmë akoma më shumë hapësira që mjekët specialistë të jenë prezentë në të gjithë territorin, duam t’i japim çdo mjeku mundësi të barabarta me Gjermaninë. Jo asaj që merr në fillim po asaj që ngel në fund të muajit. Atje është rroga patjetër, por pastaj është hape xhep. Atje nuk e ke shtëpinë afër, atje nuk të presin prindërit, shtëpinë edhe po e more e merr me nja 5 të tjerë se nuk e përballon dot etj etj. Që mos të flasim pastaj se atje me dasht me pi një kafe tamam kafe, merr lek sa të dush nuk e gjen siç e gjen këtu. Muhabetin në kafe pastaj harroje fare, kështuqë…Jo po janë pjesë të jetës këto, nuk është njeriu robot, ul kokën puno dhe pastaj shko i rraskapit në shtëpi dhe vetëm flej gjumë se do çohesh të nesërmen dhe ndërkohë s’del dot nga shtëpia se po dole do paguash sa del. Jeta atje është tmerrësisht e shtrenjtë, nuk është më as Gjermania as Italia e viteve ’90, po ikin italianët nga Italia. “