Një tunel poshtë sheshit “Skënderbej” me 4 kalime që lidh dy bulevardet kryesore të Tiranës. Ky është propozimi që prezantoi kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi këtë të enjte. Sipas tij, ky projekt sjell përfitime ekonomike për qytetarët, pasi ulja e kohës në trafik rrjedhimisht ul edhe shpenzimet për karburant.
“Së pari, kjo është një kosto shumë e lartë për buxhetin e familjeve. Familjet e Tiranës shpenzojnë dy herë më tepër karburant për makinat e tyre, si pasojë e një trafiku që nuk ndalon kurrë. Sipas përllogaritjeve tona, fatura financiare për familjet që përdorin makinat, pikërisht për hir të trafikut, është më e madhe se 100 mijë lekë të vjetra në muaj (ose 100 euro në muaj)”,-tha Belind Këlliçi, kandidat e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Tiranë
Por reduktimi i trafikut në qendër të Tiranës, sjell edhe përfitime shëndetësore, duke ulur nivelin e ndotjes.
“Së dyti, edhe më e rëndësishme, ka të bëjë me shëndetin e banorëve. Ndotja në qendër të Tiranës si pasojë e trafikut është rreth 5 herë më e lartë. Ndërkohë në të gjithë Tiranën është shumëfishuar numri i të sëmurëve të aparatit respirator, veçanërisht është rritur numri i fëmijëve astmatikë pikërisht prej kësaj ndotjeje”,-tha Belind Këlliçi, kandidat e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Tiranë