Të gjithë besimtarët ortodoksë festojnë sot Pashkët. Në mesnatë, ata kanë mbushur kishat në të gjithë vendin ku kanë ndjekur meshën e ngjalljes së Krishtit. Ceremonia ka zgjatur deri pas mesnatës dhe pas saj, vezët e Pashkës të lyera me të kuqe, me ngjyrën e gjakut të Krishtit, janë çukitur me ardhjen e ditës së shënuar për të gjithë krishterimin ortodoks në mbarë botën.
Traditë në festën e Pashkëve janë vezët e kuqe. Veza e lyer me të kuqe simbolizon jetën, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon sakrificën dhe në rastin konkret, sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës.
Një tjetër traditë e festës është buka e pashkës, ku vendoset veza e kuqe në mes, e cila duke qenë e ëmbël shpreh kuptimin e ëmbëlsisë dhe lumturisë, të cilat i përmbajnë fjalët e Zotit dhe lutjet e besimtarëve.
Gjatë meshës, besimtarët marrin nga flaka e kandilit të pashuar të Tryezës së Shenjtë, e cila simbolizon varrin e Krishtit të ngjallur dhe e çojnë në shtëpitë e tyre, duke bërë kryqin në pragun e shtëpisë dhe duke e mbajtur këtë flakë të pashuar për 40 ditë.
Marrja e flakës nga Tryeza e Shenjtë që ju jepet besimtarëve simbolizon flakën që del çdo vit nga varri i Krishtit në Jeruzalem ditën e Pashkëve Orthodhokse, flakë e cila merret dhe shpërndahet nëpër kisha të vendeve të ndryshme.