Berisha: Bëj thirrje që SHBA të hetojë aferat dhe pronat e Yuri Kim në Shqipëri

Në një bashkëbisedim live me qytetarët në Facebook, Sali Berisha përsëriti thirrjet që SHBA të hetojë aferat dhe pronat e ambasadores Yuri Kim në Shqipëri.

Unë kam respekt të madh për zotin Menendez, udhëheqës i Komisionit për Politikën e Jashtme të Senatit të SHBA. Ambasadorja, të cilën unë e quaj guvernatore, ka tejkaluar çdo lloj limiti të mandatit të saj, të normave, të respektit, të sovranitetit të një vendi. Për shkak të mashtrimeve që ajo i ka bërë qeverisë së saj, ajo ka ndërmarrë akte të dënueshme ndaj drejtësisë shqiptare. Mjafton të kujtoj këtu se prokurorët që ajo ka kapur vazhdimisht me kërkesën staliniste se pse nuk e arrestoni Sali Berishën. Disa prej tyre do kishin dashur t’ia plotësonin atë dëshirë, por kanë marrë përgjigje se nuk rezulton asnjë fakt, asnjë dokument. Por ky është vetëm një aspekt i saj. Aspekt tjetër shumë i rëndë është qëndrimi në aferën McGonigal. Ajo është kokë e këmbë e përzier dhe një kopje me fustan e McGonigal në kuptimin e korrupsionit nga kjo qeveri për të luftuar opozitën në mënyrën më të paprinciptë. Unë kam zgjedhur të mbroj interesat e publikut shqiptar duke e denoncuar atë në çdo rast. I kam bërë thirrje inspektorit të përgjithshëm të DASH, Kongresit të SHBA, FBI, të hetojë aferat korruptive, përfshirë pronat e saj në Shqipëri. I garantoj se PD është e gatshme të ndihmojë në transparencën e këtij hetimi”.

Ai tha se rikthimi i tretë i tij në qeverisje do jetë më i suksesshmi, njësoj si Steve Jobs.

Rikthimi i tretë i Sali Berishës në qeverisje do jetë më i suksesshmi. Do e krahasoj edhe njëherë me Steve Jobs, i cili pasi e larguan nga ndërmarrja e tij, u rikthye dhe i bëri botës iPod, iPad dhe iPhone. Një rikthim i tretë do ketë momente kulmore, gjithçka në interes të shqiptarëve. Ne arritëm me ato reforma ekonomike që ju thoni, të kalojmë nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta, në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. Arritëm të jemi njerëzit më të paguar në Ballkan, madje më të paguar se bullgarët dhe rumunët. Objektivi ynë ishte të kapnim sllovenët se ata janë me rroga më afër me vendet e 15-shes së BE. Ku e bazoja unë këtë objektiv? Asnjë vend në Ballkan, as Sllovenia, as Serbia, nuk ka pasuri përrallore të Shqipërisë. Në këtë kontekst, është në detyrën e një qeverie që këto pasuri t’i kthejë një mirësi, në mirëqenie, në rroga, në pensione, begati dhe progres të qytetarëve. Kështu që unë mbetem i sigurt në realizimin e këtyre objektivave”.

Të Fundit