38-vjeçari Renald Tahiri ka ndërruar jetë dy ditë më parë në ambientet e burgut 302 në Mine Peza në Tiranë, pasi ishte arrestuar për vjedhjen e një biçiklete.
Në një intervistë për Euronews Albania vëllai i tij, Renis Tahiri tha se autoritetet ua kishin mbajtur të fshehtë për 2 ditë vdekjen e të vëllait.
Ai tregoi se i vëllai ishte arrestuar në 26 mars, në fundjavë prindërit nuk kishin pasur informacione rreth tij ndaj i ati kishte shkuar ditën e hënë në burg, ku i kishin thënë sa kishte ndërruar jetë nga një atak kardiak.
“Renaldi është arrestuar në 26 mars dhe deri të enjten e kemi ditur që ka qenë gjallë, të hënën ka shkuar babi të kërkojë informacion dhe i kanë thënë se ka vdekur ne dielën në darkë. Na kanë thënë arrest kardiak, është bërë autopsia, nuk ka dalë asnjë rezultat. E kemi shtëpinë shumë afër me rajonin 3 dhe askush nuk na lajmëroi. Unë qëndroj jashtë vendit, e kam kapur varrimin në momentin e fundit, para se ta fusnin në gropë. Renaldi ka qenë përdorues droge, i kërkoj falje kujtdo që mund t’i ketë rënë në qafë, kë mund të ketë vjedhur, nuk ka dashur t’i bëjë. E kishte filluar drogën që 12 vjeç”, tha i vëllai i viktimës.