Arti në zi. Regjisori i njohur, Kristaq Mitro është ndarë nga jeta në moshën 77-vjeçare. Klan News ka mësuar se ai vuante nga një sëmundje e rëndë.
Ishte një figurë tjetër e mirënjohur e kinematografisë shqiptare, Mevlan Shanaj, i cili dha lajmin e trishtë. Ai shkroi në Facebook, se Mitro largohet nga kjo jetë duke lënë në ekranin shqiptar vepra me sukses të pakontestuara.
“Lamtumirë Kristaq Mitro, miqësi që nga koha studentore, në një klasë, në një dhomë, deri së fundi si mësimdhënës në Universiteti i Arteve, në degën e regjisë së filmit. Ike duke lënë në ekranin shqiptar si regjisor vepra me sukses të pakontestuara! Ngushëllime familjes dhe gjithë miqve”, shkroi Shanaj.
Kristaq Mitro, ‘Artist i Merituar’, është një nga regjisorët më të njohur të kinematografisë shqiptare, që ka lënë gjurmë në historinë e filmit tonë. Për vite të tëra ka qenë edhe pedagog në Akademinë e Arteve.
Mitro është regjisor i 12 filmave shqiptarë shumë të njohur, madje ka guxuar edhe si skenarist. Mitro ka përfaqësuar Shqipërinë në arena të ndryshme dhe sfida botërore.
Disa nga filmat e tij janë “Kur zbardhi një ditë”, “Tokë e përgjakur”, “Dimri i fundit”, “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Liri a vdekje, Telefoni i një mëngjesi” etj.