Dy persona dyshohet të kenë humbur jetën si pasojë e daljes së një makine nga rruga dhe përfundimit në përrua në Librazhd.
Policia tha zyrtarisht se rreth orës 07:45, në aksin rrugor “Librazhd-Prrenjas”, shtetasi Arjan Yze, rreth 55 vjeç, banues në Devoll, duke drejtuar automjetin tip “Volkswagen”, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga dhe ka rënë në përroin e Lengajcës.
Nga ky aksident kanë humbur jetën shtetasi Arjan Yze, dhe bashkëshortja e tij, shtetasja Majlinda Yze, rreth 50 vjeçe, e cila ishte pasagjere në këtë automjet.
Shërbimet e policisë dhe ato të zjarrfikëses ndodhen në vendin e ngjarjes dhe vijojnë punën për nxjerrjen e trupave të të dy shtetasve që ndodheshin në automjet.
Dyshohet se mjeti ka dalë nga rruga gjatë natës, pasi viktimat ishin nisur mbrëmjen e së dielës nga Tirana.
Ndërkohë grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti.