Ish-drejtuesi i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Artan Lame shpjegoi sot arsyet e largimit të tij nga ky institucion.
Gjatë prezantimit të drejtueses së re të Kadastrës në Kryeministri, Lame tha se dorëheqja nga ky post është dhurata më e mirë për ditëlindjen e tij, duke theksuar se ka nevojë për një pushim për t’u fokusuar tek shëndeti.
“Ju drejtohem gjithë institucionit të Kadastrës: Shërbejuni njerëzve sepse ky institucion ekziston pikërisht për këtë gjë. Kur nuk përton Kryeministri të më dërgojë mua çdo ankesë të qytetarëve, imagjino çfarë duhet të bëni ju. Me të njëjtin përkushtim, shqetësim ai më përcillte në këto vite nga celulari i tij edhe ankesën e atyre që mbajnë ekonominë e vendit në këmbë, por edhe shqetësimin e një fshatari që nuk regjistronte tokën. Njësoj më ka përcjellë të gjitha, madje në disa raste, kishte ndonjë frazë të frikshme nga mbrapa: Lame i çmendët njerëzit!
Kryeministër unë nesër kam ditëlindjen dhe pas disa ditësh kam dhe përvjetorin, do të shkoj të bëj vizitat nga fillimi të asaj ngjarjes me shëndetin që kam pasur para disa vjetësh. Dhe e konsideroj këtë tërheqje si dhuratë për ditëlindje sepse realisht kam nevojë të pushoj pak për t’u fokusuar tek shëndeti dhe vetja për një periudhë të shkurtër kohe. Sepse prapë e them që do më hanë duart për të bërë ndonjë punë. Faleminderit për mundësinë që më dhatë mundësinë të lë atë gërmën time në historinë e shtetit shqiptar, punë të mbarë drejtores së re”, përfundoi Lame.