Vrasja e tri grave nga Dan Hutra dhe mbrojtja që kërkojnë familjarët e këtij të fundit për shkak se i druhen gjakmarrjes, ka rikthyer në vëmendje edhe njëherë Kanunin.
Për studiuesin e Kanunit të Lekë Dukagjinit, Luigj Mila, një kod i tillë nuk mund të rikthehet pas 6 shekujsh, si formë e vendosjes së drejtësisë.
“Nuk besoj se Kanuni duhet të na rikthehet pas 600 vitesh edhe njëherë, edhe të na përdoret si e drejtë pozitive, absolutisht jo”, u shpreh ai.
Për Panorama TV, Luigj Mila thotë se Kanuni vijon të praktikohet ende, teksa shton se gjatë një studimi të kryer, u konstatua se në ato zona ku është zbehur fenomeni i gjakmarrjes, janë rritur ndjeshëm rastet e krimit në familje.
“Kemi bërë një studim ku konstatuam se nëse gjakmarrja do eliminohej, do të kthehej krimi në familje. Studimi u bë në 2010dhe doli ajo që parashikuam, nga gjakmarrja po kthehet në krim në familje, kjo është mjaft shqetësuese. Duhet të rishikojmë jo vetëm zbatimin e ligjit, por edhe vetë ligjet. Të shikohet mundësia e vendosjes së ligjeve më të rrepta sa i takon vrasjes së grave”, u shpreh ai.
Rasti i fundit i vrasjes për gjakmarrje ishte ajo e Lek Lekgjonajt, në Lezhë në janar të vitit të shkuar, i cili u ekzekutua nga 17-vjeçari Florian Pervathi.
Ky i fundit, pas krimit të rëndë u dorëzua në policinë e Lezhës, ku u shpreh se kishte marrë gjakun e babait.