Berisha: “Lul Brava” dhe “Alibasha”, pengje të Ramës

Dorëzimi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të kërkesës së grupimit “Alibeaj” për t’u regjistruar në zgjedhjet lokale të 14 Majit, për kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, është një tjetër provë se Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj janë pengje të Kryeministrit Rama.

“Pengjet janë pengje. Zbatojnë vetëm urdhra të pengmarrësit. Nuk ekziston fraksioni. Ekziston fraksioni i pengjeve të Edi Ramës, që përbëhet nga dy persona: “Lul Brava” dhe “AliBasha”. Do jenë të mjerë ata që do vazhdojnë si “donkishotër” betejën me ketë forcë që ka për frymëzim lirinë.”

Sipas Berishës ka vetëm një Parti Demokratike, e njohur sipas tij me vendim gjykate në Mars të vitit të kaluar.

“PD është një dhe vetëm një, është ajo e anëtarësisë, është ajo që ka mbështetjen masive te qytetarët shqiptarët, është ajo që ka vendimin e gjykatës së faktit për regjistrimin dhe nuk mund të goditet me asnjë mjet tjetër.”

Pavarësisht vendimmarrjes së KQZ-së, Berisha tha se Partia Demokratike nuk do t’i bojkotojë zgjedhjet, duke dalë në betejën e 14 Majit me siglën e një koalicioni, sikundër në 6 Mars, emrin e të cilit pritet ta vendosë orët dhe ditët në vijim.

“Sapo të pagëzohet koalicioni dhe forcat politike, të parët që do ta marrin vesh do jenë gazetarët”.

Por krahas pjesëmarrjes në zgjedhje, kreu i demokratëve tha se nuk do të ndalet në revolucionin paqësor të nisur me qytetarët për largimin e Kryeministrit Rama.

“Protesta, mosbindje civile, revolucioni demokratik paqësor nuk ndalon në asnjë rast”.

Berisha tha se pavarësisht vendimit të diktuar në Apel nga kreu i qeverisë dështuan të gjitha përpjekjet e Edi Ramës për të marrë peng pluralizmin dhe asgjesimin e opozitës në vend.

Të Fundit