Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim udhëtoi në Librazhd një ditë më parë ku u takua me ushtarë shqiptarë dhe amerikanë që po punojnë së bashku për të rinovuar gjashtë tunele armatimesh.
Ambasada amerikane në vendin tonë bën të ditur se prej vitit 2014, Programi Humanitar i Minave përmes Komandës Evropiane të SHBA U.S. European Command (EUCOM) ka punuar për të hequr municionin e pashpërthyer, ka ndërtuar vende magazinimi të sigurta në Shqipëri dhe ka trajnuar personel shqiptar për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e municioneve.
Në vijim thuhet se më shumë së 1000 njerëz janë vrarë ose plagosur nga minat tokësore, municionet thërrmuese dhe municionet e pashpërthyera në Shqipëri.
Disa municione datojnë që nga Lufta e Dytë Botërore, por shumica e municioneve të rrezikshme janë rezultat i trazirave civile të vitit 1997 dhe luftës së Kosovës në vitet 1998-1999.
Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë ngushtë me autoritetet shqiptare për të siguruar që municionet të ruhen të sigurta dhe të mos përbëjnë kërcënim për civilët e pafajshëm.
Gjatë vizitës së saj, ambasadorja Kim u takua edhe me tre të mbijetuar të cilët u plagosën rëndë nga minat tokësore dhe municionet e pashpërthyera. Ajo dëgjoi historitë e tyre dhe mësoi se si ata i kanë kapërcyer këto sfida që ndryshojnë jetën. Përmes ndihmës së SHBA, këta të mbijetuar mundën të merrnin gjymtyrë protetike dhe mbështetje, përfshirë trajnim karriere.