Kryeministri Edi Rama reagon lidhur me reagimet lidhur me aplikacionin “Aktivisti”, me anë të së cilit pretendohet se detyrohet administrata publike që të bëj Like dhe Share postimet e titullarëve të institucioneve qeverisëse.
Me anë të një video-mesazhi në rrjetet sociale Rama drejtohet me “të dashur aktivistë të Partisë Socialiste”.
Siç edhe ua kisha thënë, ja ku erdhi dita që i harruan patronazhistët dhe u turrën mbi aktivistët.
Urime për pagëzimin tuaj në baltën e djajve, e cila është prova e relevancës në skenën e betejave politike dhe sociale në këtë vendin tonë të vogël e të bukur, por me zhurmaxhinj e ligësira që s’të ndahen.
Tani ju mund të ndjeheni realisht të vlerësuar si një forcë e re në fushëbetejë dhe ndërkohë që patronazhistët e kalitur në përballje të shkuara, po përgatiten të hyjnë së shpejti në skenën e betejës së radhës si një forcë e sprovuar më shumë se sa njëherë, ju jeni në sprovën tuaj të parë dhe ja si erdhi puna, ende pa mbaruar nxemjen i keni shqetësuar shumë kundërshtarët tanë të dëshpëruar e të çoroditur.
Përgëzime, tani futini një marsh tjetër jashtë programit, që ta shohin të paudhët se sa gabim bëjnë kur na e rrisin adrenalinën, duke na ngacmuar edhe kur s’kanë parë gjë akoma.