Në emisionin “Shije Shtëpie”, në Tv Klan ndër të ftuarit ka qenë pneumologu i njohur Ardian Jorgji i cili ka folur për virozat stinore, gripin dhe Covidin. Përsa i përket virozëve, ai shprehet se nuk rekomandon asnjë gjë për 4-5 ditët e para përveç ushqimeve të shëndetshme, lëngjeve, gargareve me ujë e kripë, sodë buke në fyt, por kurrsesi nuk sugjeron antibiotikët.
Ardian Jorgji: Marrim virozat që vijnë me temperatura të larta, me dhimbje koke, me dhimbje muskujsh, kockash, kollë, ngandonjëherë edhe me çrregullime intestinale. 3-4-5 ditët e para unë nuk do rekomandoja asnjë gjë tjetër përveçse lavazheve me ujë fiziologjik në hundë, gargare me ujë dhe kripë dhe sodë buke në fyt, ushqimet e shëndetshme, lëngje dhe vetë-izolim. Në temperatura të larta, paracetamol, ngandonjëherë kur nuk bindet edhe me inflamatorë, por në asnjë mënyrë antibiotik. Duhet të shqetësohemi atëherë kur temperatura presiston mbi 5-6 ditë, kolla fillon shpeshtohet apo rëndohet,ndjejmë ndjesi jo të mirë në frymëmarrje, rëndesë në gjoks, dobësia trupore përkeqësohet, atëherë me të vërtetë duhet të merakosemi. Këto në parim për të tërë.
Përsa i përket përdorimit të antiviraleve, pneumologu Jorgji shprehet se nuk i përdor shumë antiviralet sepse sipas tij ditët e para duhet të lëmë organizmin të reagojë.
Ardian Jorgji: Unë nuk i përdor shumë antiviralët. Për 3-4-5 ditët e para, kush është qëndrimi im. Duhet të lëmë organizmin të reagojë, imunitetin e trupit. Askush për mua nuk duhet të mësohet me ilaçe dhe ilaçet duhen dhënë në persona me profil të caktuar. Nuk mund të jepen gjerësisht, ndihmojnë, por mbi të gjitha duhet të ndihmojë trupi vetë. Në qoftë se për çdo gjë ne japim ilaçe, kush është reagimi i organizmit?