“Betlehemi i gjallë” Rituali që po kthehet në traditë, mijëra besimtarë vizitojnë fshatin Hajmel

Qindra vullnetarë të krishterë risollën Betlehemin e gjallë në famullinë e fshatit Hajmel të Vaut të Dejës, ndërsa mijëra besimtarë e vizituan atë gjatë katër orëve të organizimit të ritualit.

Në një skenë teatrale në qiell të hapur që i përngjan antikitetit, me qindra persona të vendosur në kasolle të vogla prej druri dhe kashte, ku secili aktron nën vatrat e zjarrit një zanat të lashtë– rrahjen e hekurit, poçerinë, bluarjen e miellit, krijimin e kandilëve të dritës, mprehjen e shpatave, apo mjekimin e plagëve të të sëmurëve më lebrozë – çdo veprim të kthen prapa në kohën e lindjes së Krishtit.

Betlehemi i gjallë mblodhi edhe sivjet me 26 dhjetor me mijëra vizitorë pranë famullisë së Hajmelit.

“Tek ne, ky rit ka katër vite që organizohet, por në Itali ka pothuajse 800 vite”, i tha BIRN Mark Hilaj, njëri prej organizatorëve të Betlehemit të gjallë.

“Ideja e Betlehemit lindi nga Shën Françesku që e bëri atë për herë të parë në një qytet të vogël afër Milanos, që quhet Greccio. Ndërsa fretërit që mbulojnë famullinë tonë janë Fretërit Kapuçinë që janë vëllezërit e devotshëm të Shën Françeskut”, shpjegoi Hilaj.

Famullia e Hajmelit që prej vitit 2018 inskenon Betlehemin dhe lindjen e Jezusit, me ndihmën e vullnetarëve katolikë që kthehen në aktorë amatorë duke performuar role të ndryshme nga koha e para lindjes së Krishtit.

“Janë tre famulli që marrin pjesë, famullia e Hajmelit, e Nënshatit dhe e Dheut të Lehtë”, tregoi Florjani, banor i zonës dhe vullnetar në organizimin e ritualit.

Gratë dhe vajzat të cilat presin vizitorët me petulla të ngrohta dhe ushqime të freskëta të gatuara në çast nga duart e tyre, i thanë BIRN se Hajmeli është fshati më i përshtatshëm për organizimin e një rituali të tillë.

“Hajmeli ka vendodhjen më të mirë. Ka hapësirën e mjaftueshme dhe relievin e përshtatshëm për këtë event kaq të madh”, tregoi njëra prej vullnetareve që gatuante petulla.

Fra Xhon Shtjefni, një tjetër organizator i cili kujdesej për çdo detaj të mbarëvajtjes së ritualit, i tha BIRN se kjo ngjarje tashmë është kthyer në një traditë të përvitshme të fundvitit.

“Ne do të jemi këtu edhe më datë 1 Janar, datë në të cilën presim akoma më shumë vizitorë. Betlehemi i gjallë është kthyer tashmë në një traditë që e identifikon Hajmelin”, tregoi fra Shtjefni.

Një pjesë e rëndësishme e roleve është edhe kujdesi për të sëmurët me lebrozë.

“Kujdesi ndaj tyre ka qenë dhe mbetet bamirësi. Në ato kohë, ka patur shumë të tillë. Prandaj ne sot po luajmë edhe rolin e tyre”, tregoi për BIRN një vullnetare në rolin e një të sëmure, me lëkurën e lyer me bojë që tregonte pikërisht sikur vuante nga lebroza.

Hilaj theksoi se ky organizimin bëhet i mundur nga gjithëpërfshirja dhe mbështetja e banorëve dhe shumë njerëzve me vullnet të mirë.

“Shpresojmë ta vazhdojmë sa më gjatë këtë traditë sepse i jep jetë dhe e gjallëron komunitetin edhe në këto fshatra ruralë”, i tha BIRN Mark Hilaj.

“Është diçka shumë e gëzueshmë dhe e hareshme, tamam si një ditëlindje e madhe”, përfundoi ai.

 

Të Fundit