Një ish-sekretare e një komandanti në një kamp nazist është dënuar për bashkëpunim në vrasjen e më shumë se 10.505 personave. Irmgard Furchner, 97 vjeç, u punësua si daktilografiste në Stutthof dhe punoi atje nga 1943 deri në 1945.
Furchner, gruaja e parë që u gjykua për krimet naziste në dekada, u dënua me dy vjet burg. Edhe pse ishte nëpunëse civile, gjykatësi pranoi se ajo ishte plotësisht në dijeni të asaj që po ndodhte në kamp.
Rreth 65,000 njerëz mendohet se kanë vdekur në kushte të tmerrshme në Stutthof, përfshirë të burgosur hebrenj, polakë jo-hebrenj dhe ushtarë të kapur sovjetikë.
Duke qenë se Furchner ishte vetëm 18 ose 19 vjeç në atë kohë, ajo u gjykua në një gjykatë të posaçme për të mitur.
Në Stutthof, që ndodhet pranë qytetit polak të Gdanskut, u përdorën një sërë metodash për të vrarë të burgosurit dhe mijëra vdiqën në dhomat e gazit atje që nga qershori 1944.
Në gjykatën në Itzehoe, Gjermaninë veriore, i dhanë dëshmitë e të mbijetuarve të kampit, disa prej të cilëve kanë vdekur gjatë gjyqit.
Kur filloi gjyqi në shtator 2021, Irmgard Furchner u arratis nga shtëpia e të moshuarve dhe u gjet përfundimisht nga policia në një rrugë në Hamburg.
Komandanti i Stutthof, Paul-Werner Hoppe u burgos në vitin 1955 dhe u lirua pesë vjet më vonë. Një seri ndjekjesh penale janë zhvilluar në Gjermani që nga viti 2011, pasi dënimi i ish-rojit të kampit nazist të vdekjes, John Demjanjuk, krijoi precedentin se të qenit roje ishte provë e mjaftueshme për të provuar bashkëpunimin.