Kryeministri Edi Rama bëri të ditur këtë të hënë, se ka firmosur 15 procedura konfiskimi ndërtimesh, ku për qëllime fitimi janë tejkaluar kufijtë ligjorë të lejeve ose në disa raste është ndërtuar komplet pa leje.
Përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se ndërtimet e konfiskuara do të përdoren për interes publik.
Kreu i qeverisë iu përgjigj akuzave të opozitës për këtë aksion, duke deklaruar se qeveria nuk e ka fuqinë ligjore të amnistojë askënd dhe shtoi se konfiskimet nuk i japin askujt imunitet nga drejtësia.
“Sot kam firmosur pas kalimit në të gjitha hallkat ligjore, plot 15 procedura konfiskimi ndërtimesh, ku për qëllime fitimi janë tejkaluar kufijtë ligjorë të lejeve ose në disa raste është ndërtuar komplet pa leje fare. Ndërtimet e konfiskuara do të përdoren për interes publik. Hapësirat e marra do t’i kalojnë shtetit, që sipas rastit do t’i shfrytëzojë për mjedise zyrash për administratën, për strehim social ose shërbime sociale.
Kur e nisëm çfarë nuk dëgjuam dhe me çfarë nuk u helmua opinioni publik! “Është thjesht show për të larguar vëmendjen”! Ja që nuk ishte e vërtetë. “Është pazar me oligarkët për t’ua kthyer mbrapsht të legalizuara metrat e katet pa leje”! Ja që as kjo s’ishte e vërtetë. “Është amnisti për t’i shpëtuar nga ndëshkimi ligjor”! Gënjeshtër e madhe edhe kjo, sepse qeveria nuk e ka fuqinë ligjore të amnistojë askënd dhe edhe po të dojë madje dhe konfiskimet nuk i japin askujt imunitet nga drejtësia. E vërteta është që për të gjitha këto, letrat kanë kohë që flenë nëpër prokuroritë e rretheve”, shkroi Rama ndër të tjera në Facebook.