OBSH ka ngritur alarmin për 4 shurupe për fëmijë të cilët kanë rezultuar të kontaminuara.
Katër produktet mjekësore janë solucioni Oral Promethazine, shurupi i kollës për fëmijë Kofexmalin, shurupi i kollës për bebe Makoff dhe shurupi Magrip N Cold.
Analiza laboratorike e mostrave të secilit prej produkteve konfirmon se ato përmbajnë sasi të papranueshme të dietilen glikolit dhe etilen glikolit si ndotës. Deri më sot, këto katër produkte janë identifikuar në Gambia, por mund të jenë shpërndarë, nëpërmjet tregjeve informale, në vende ose rajone të tjera.
Vdekja e dhjetëra fëmijëve në Gambia nga dëmtimet e veshkave mund të lidhet me shurupin e kontaminuar kundër kollës prodhuar nga një kompani indiane e barnave, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Sipas OBSH, kompania prodhuese ende nuk ka reaguar lidhur me sigurinë dhe cilësinë e këtyre produkteve.
Dietilen glikol dhe etilen glikol janë toksike për njerëzit kur konsumohen dhe mund të jenë fatale.
Efektet toksike mund të përfshijnë dhimbje barku, të vjella, diarre, pamundësi për të urinuar, dhimbje koke, gjendje mendore të ndryshuar dhe dëmtim akut të veshkave që mund të çojnë në vdekje.
Të gjitha grupet e këtyre produkteve duhet të konsiderohen të pasigurta derisa të mund të analizohen nga Autoritetet Rregullatore Kombëtare përkatëse.
Produktet nën standarde të referuara në këtë sinjalizim janë të pasigurta dhe përdorimi i tyre, veçanërisht te fëmijët, mund të rezultojë në lëndime serioze ose vdekje.
OBSH kërkon që të zbulohen dhe të hiqen nga qarkullimi këto produkte nën standarde për të parandaluar dëmtimin e pacientëve.