Enti rregullator i Energjisë miratoi sot vendosjen e fashës prej 800 kilovatësh dhe çmimin e ri që do paguajnë familjet që kalojnë fashën 800 kwh.
Që nga 1 tetori deri në 31 dhjetor familjet që do shpenzojnë mbi 800 kWh në muaj do faturohen me 42 lekë për kilovat.
Furnizuesi i Shërbimit Universal, kishte aplikuar në ERE në datë 20 shtator për vendosjen e fashës prej 800 KWh dhe çmimin për konsumin mujor mbi këtë nivel për konsumatorët familjarë.
“Kërkesa e FSHU bazohet mbi vendimin e Asamblesë së Përgjithshme të Aksionerëve të KESH të cilët kanë përcaktuar që çmimi për konsumin mbi 800 KWh/muaj për konsumatorët familjarë të jetë 34.3 lekë/kwh”- thuhet në njoftim.
Ndërkohë pas këtij vendimi reagoi dhe deputetja e PD-së Jorida Tabaku, e cila në një deklaratë për mediat tha kjo është një fatkeqësi dhe se nga kjo rritje prek qytetarët.
“Rritja e çmimit nuk është e justifikuar. Çmimi duhet të jetë në përputhje me pagat e qytetarëve të cilët goditen nga kjo rritje e çmimit. Rritja ka ardhur si pasojë e rritjes së çmimeve dhe karburantit. Qeveria vetëm po rrit taksat dhe tarifat. Asnjë qeveri nuk rrit taksat dhe çmimet në periudhë krize. Është fatkeqësi sepse buxheti i kompanive që menaxhojnë krizë është 500 mln euro. Ata që preken nga kjo rritje janë familjet që kanë shpenzime të tjera të rritura, është shtresa e mesme.”- tha Tabaku.