Duke folur në seancën parlamentare pas prezantimit të raportit të veprimtarisë së Autoritetit të Mediave Audiovizive për vitin 2021, ish-Kryeministri Sali Berisha akuzoi Kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun Erion Veliaj si dhunues të fjalës së lirë.
Ai tha se Edi Rama dhe mjerisht peng-Basha emëruan kryetar dhe zëvendëskryetar njerëzit më të besuar të tyre, në vend që ai institucion të drejtohej nga përfaqësues relativisht të pavarur apo gjysmë të pavarur të mediave.
Sipas tij, AMA kurrë ndonjëherë nuk ka pasur këtë shkallë ekstreme politizimi, me gjithë kërkesën, insistimet e mediave e institucioneve ndërkombëtare që ky institucion të jetë i balancuar, të jetë më i pavarur dhe më i paanshëm.
Lidhur me gjendjen që ekziston për mediat dhe fjalën e lirë në Shqipëri, shtoi se narkoshteti apo autokracia e narkoshtetit është shtypje ndaj lirive dhe të drejtave të individit, por dhe fjalës së lirë dhe lirisë së mediave në veçanti.
Janë të zakonshme aktet banditeske të qeveritarëve ndaj gazetarëve, ndaj mediave të lira. Janë të zakonshme sulmet agresive staliniste të qeveritarëve ndaj mediave që shkruajnë kundër tyre, por në rast se bëjmë një shumim, dy janë armiqtë më kryesor të fjalës së lirë në Shqipëri.
Njëri quhet Edi Rama, i cili përveç sjelljes së dhunshme verbale, përveç fyerjeve ndëshkimeve absurde ndaj gazetarëve për shkak të pyetjeve që i bëjnë, ai krijoi dhe ministrinë agjencinë e dezinformimit, i frymëzuar nga regjimet autokratike, ministrinë e së vërtetës. Përgatiti ligjet, për të dënuar të gjitha portalet që nuk i nënshtrohen atij, ndërmerr sanksione dhe ushtron presion mbi pronarët e mediave, nëse linjat editoriale të tyre, nuk përputhen plotësisht me qeverinë.
Rama i lejon vetes të përdorë fyerje, sharje, kërcënime ndaj gazetarëve për të cilat do ta kishin lakmi edhe etërit e tij, ish-xhelatë të fjalës së lirë. Në fjalorin e tij ai është bërë i famshëm dhe në Europë me ndëshkimin që iu bën gazetarëve për pyetjet që nuk i pëlqejnë, deri tek reminishencat e fëmijërisë së tij, kur gjyshja i thoshte ‘mos u zgërdhi si budalla’.
Ai i thoshte gazetarit se gjyshja më ka thënë se nga buzët e budallait dalin vetëm buzëqeshja. Është një atribut personal i gjyshes së tij. E gjithë pasuria e tij bazohet në filmat e Kinostudios ‘Shqipëria e Re’ dhe në librin e mashtrimeve të Nastradinit, për të cilat e tejkalon.
Po kaq armik i fjalës së lirë është dhe Erion Veliaj, i cili përbën variantin më të shëmtuar të zyrtarit, të qëndrimit ndaj fjalës së lirë, ndaj gazetarëve, ndaj pronarëve të medias. A mund të imagjinoni që të dy këta zotërinj, vijnë nga shoqëria e hapur e George Soros. Këta janë fabrikate të shoqërisë së hapur, e cila duhet të jetë e kundërta.
Rama nuk lejon ministrat të vijnë në debate. Denoncoj sulmet e rënda dhe i’u bëj thirrje gazetarëve për një aleancë të re, për të vërtetat e mëdha, të bëjmë gjithçka për transparencë të plotë dhe për ti dhënë duart sa më shpejtë këtij regjimi autokratik.