Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, bëri të ditur sot se është miratuar strategjia për menaxhimin e ujësjellësave, duke i hequr kështu nga menaxhimi nga pushtetit vendor dhe duke përcaktuar MIE-n aksionari mazhoritar.
Ministrja Balluku në një deklaratë për mediat, tha se nga 61 ujësjellës që ndodhen në 61 bashki të vendit do të kalohet me 15 ujësjellës qendror, të cilët do të mirëmenaxhojnë financat dhe burimet natyrore nën mbikëqyrje.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të jetë aksioneri mazhoritar, i secilit prej 15 ndërmarrjeve duke bërë një mirëmenaxhim të situatës, nisur nga kreditë që janë marrë gjatë kohës së tranzicionit, por mbi të gjitha për të vënë në jetë të gjitha politikat sa i përket sistemit të ujësjellësve dhe ujërave të ndotura.
Balluku theksoi poashtu se zbatimi i kësaj reforme të thelluar do të nisë menjëherë pas publikimit të vendimit në Fletore Zyrtare dhe se brenda vitit 2022 priten rezultate konkrete.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë ndërsa është miratuar gjithashtu edhe projektvendimi për miratimin e marrëveshjes ndryshuese të huasë së Republikës së Shqipërisë (përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare) dhe projektvendimi tjetër për shtimin e huasë për segmentin rrugor Qukës-Qafë Pllocë.
Një projektvendim ishte edhe për njohjen e ndërsjellë të patentave me Arabinë Saudite.