“Nuk dua të përgjoj njerëzit”, Bill Gates: Shpenzoj miliarda për vaksinat

Miliarderi Bill Gates i quajti të çmendura teoritë konspirative sipas të cilave ai kërkon të fusë çipe në trupat e njerëzve, për t’i përgjuar ata.

Në një intervistë për BBC, themeluesi i Microsoft tha se është ndjerë tmerrësisht keq kur njerëzit i kanë bërtitur në rrugë duke i përmendur këtë teori.

Ai ka qenë prej kohësh mbështetës i vaksinave, dhe ka shpenzuar miliarda dollarë në programet e vaksinimit në të gjithë botën. Por sidomos pas nisjes së pandemisë së koronavirusit, u vu në qendër të teorive konspirative nga më të çuditshme, të shpërndara masivisht në rrjetet sociale.

“Më vjen të qesh sepse është çmenduri”, tha ai. “Vërtet dua unë që të përgjoj njerëzit? E dini që kam shpenzuar miliarda për vaksinat, nuk fitoj asnjë kacidhe prej tyre, por vaksinat shpëtojnë jetë. Së fundmi disa njerëz më panë në rrugë dhe nisën të bërtisnin se unë po i përgjoja. Kjo është diçka e tmerrshme”.
Përhapja e teorive konspirative kryesisht në rrjetet sociale ka shkaktuar debat të madh, sidomos në SHBA, mbi lirinë e shprehjes. Një prej këtyre rrjeteve, Twitter, tashmë është në kontrollin e miliarderit tjetër Elon Musk, për të cilin Bill Gates nuk gëzon ndonjë simpati të madhe. “Duke njohur Elon-in, Twitter mund të bëhet më keq. Por mund të bëhet edhe më mirë, prandaj duhet të presim e të shohim çfarë do të ndodhë”, tha Gates.

Gjatë intervistës, miliarderi foli gjithashtu për vitin e vështirë që ka kaluar pas divorcit nga Melinda Gates, me të cilin qëndroi i martuar për 27 vite. Ai pranoi edhe se kishte gabuar që ishte takuar me Jeffrey Epstein, financierin tashmë të vdekur, i cili u dënua për krime seksuale.

 

Të Fundit