Rruga e Rinasit me dy korsi. Balluku: Kush shkon në Veri të përdorë këto 2 rrugë

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka inspektuar këtë të enjte rrugën e Rinasit, ku tashmë qarkullimi i automjeteve do të kthehet me dy sense lëvizjeje.

Teksa theksoi se rruga ka pasur ngarkesë të lartë për shkak të rritjes së numrit të fluturimeve Balluku nënvizoi se vendimi për të patur një sens lëvizje do të ishte i përkohshëm deri në përfundim të rrugës së re.

Rruga ka pasur ngarkesë të madhe dhe kështu për shkak të rritjes edhe të numrit të fluturimeve kemi pasur ngarkesë në këtë rrugë, sidomos në orët e drekës. Ndryshimi i sensit, ka qenë i përkohshëm por ka ndikuar negativisht te banorët që kanë shkollat bizneset dhe aksesi nga rruga e Vorës atyre iu shton disa kilometra”, tha Balluku.

Më tej ministrja i bëri thirrje drejtuesve që vijnë nga Veriu i vendit të përshkojnë 2 akse të tjera, atë të kthesës së Kamzës apo nga Vora.

“Në Rinas ngrihen 104 avionë në ditë, që do të rritet më shumë gjatë verës. Janë më shumë se 15 mijë udhëtarë gjatë ditës. Nëse do e shumëzonin me 2.3 numrin e qytetarëve që përcjellin pasagjerët, fluksi shkon rreth 30 mijë pasagjerë që i afrohen aeroportit. Këto janë fakte që kanë ndikuar në rritjen e fluksit në këtë rrugë. Pra kjo rrugë është ndërtuar nga koncensionari vetëm për të aksesuar Aeroportin e Rinasit. Ndërkohë me kalimin e viteve këtu ka biznese të tjera që ka sjellë rritje të trafikut. Kemi pasur shqetësime nga udhëtarët që kanë humbur avionët e tyre. Edhe ankesat nga komuniteti janë të kuptueshme. Detyra jonë është që të akomodojmë shqetësimet e banorëve të zonës, por edhe të udhëtarëve të Aeroportit të Rinasit. Ajo që kërkojmë nga drejtuesit e automjeteve është që të përdorin dy akseset e tjera. Mos e frekuentoni rrugën e Rinasit, që sot rikthehet me dy korsi. Automjetet që i drejtohen Veriut duhet të përdorin rrugën te kthesa e Kamzës dhe Vorën. Kështu kjo rrugë do jetë më e lirë”, tha Balluku.

 

Të Fundit